Në Tiranë, vëzhgues të jetës politike pohojnë se dialogu mes forcave politike është i domosdoshëm për të ulur tensionet politike, por ai duhet të jetë i vërtetë dhe realist.
Analistët pohojnë se hapin e parë për bisedime të vërteta duhet ta hedhë shumica socialiste.
Studiues të jetës politike në Shqipëri shohin me shqetësim humbjen e madhe të kohës, skadimin e afateve zgjedhore si dhe vonesën e dialogut politik mes partive kryesore në vend.
Studiuesi Roland Lami thotë se hapat e vërteta për dialog duhet t'i hedhë së pari qeveria, e cila po komunikon me dy palë opozitare; njëra opozitë që ka dorëzuar mandatet parlamentare dhe kërkon garanci për zgjedhjet dhe pala tjetër një shtojcë opozitare e krijuar në mënyrë legale, por nuk përfaqëson mendimin opozitar.
“Ajo e qeverisë është një ftesë ku ftohet opozita legjitime në parlament, por jo përfaqësuese në kuptimin politik dhe i lë një hapësirë edhe opozitës jolegjitime, e cila tashmë ka djegur mandatet, duke e përfshirë në diskutim. Në këtë moment duket se ka një diversion drejt opozitës për ta deligjitimuar atë jo si një opozitë homogjene por si një opozitë e ndarë në dy fraksione, ku nëse ti nuk bie dakord me ftesën që unë të ofroj, mund të bie dakord me opozitën, e cila është në parlament. Nëse kësaj ne i themi ofertë për të negociuar, unë gjykoj se kjo nuk është një ofertë për të negociuar” - tha zoti Lami.
Ndërsa analisti Lutfi Dervishi pohon se ka ardhur koha që partitë të nisin dialogun para shpërthimit të konfliktit dhe jo si herë të tjera, kur janë ulur në tryez pas shpërthimit të tensioneve. Ai shton se përvoja ka treguar që zgjidhja nuk vjen nga mjetet e rrugës.
“Mënjanimi i dialogut do të thotë që zgjidhjen ta kërkosh në rrugë. Nuk besoj se qeveria dhe opozita kanë interes që ta gjejnë zgjidhjen përmes rrugës dhe jo përmes bisedimeve. Për të shkuar te dialogu duhet ndryshimi i retorikës, por kjo nuk ka ndodhur ende. Kur të ndodhë ndryshimi i retorikës, atëherë do të shihet interesi i përbashkët dhe kërkimi i një zgjidhje në një kuadër më të gjerë se sa thjesht interesat e ditës. Nuk mund të pretendohet të bësh zgjidhje dhe parlamentarizëm fals dhe jo përfaqësues”- tha zoti Dervishi.
Vëzhguesit pohojnë se asnjëra palë nuk mund të vendosë kushte se me cilët persona mund të dialogojnë, dhe qëllimi është që të gjenden zgjidhje duke bërë lëshime secila forcë politike, deri në gjetjen e një mirëkuptimi.
Përfaqësues të diplomacisë europiane dhe amerikane po bëjnë vazhdimisht thirrje për dialog mes palëve, por qëndrimet partiake janë ende larg nga njëra tjetra.
Facebook Forum