Lidhje

Kina kritikon SHBA për vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që blejnë naftë nga Irani


Pekini kritikoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u vendosur sanksione vendeve që blejnë naftë nga Irani, duke paralajmëruar se ky hap do të nxisë trazira në Lindjen e Mesme dhe në tregun ndërkombëtar të energjisë.

"Kina kundërshton fuqishëm zbatimin e sanksioneve të njëanshme amerikane dhe të ashtuquajturin juridiksion që shtrihet përtej territorit të saj", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Geng Shuang në një konferencë shtypi të martën.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk do të rinovojnë përjashtimin nga sanksionet të pesë blerësve kryesorë të naftës iraniane: Kinën Indinë, Turqinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë, duke u bërë atyre presion që të ndalin blerjen nga Teherani.

Deri tani këto pesë vendeve mund të blinin naftë nga Irani, pa u ndeshur me sanksionet amerikane. Shtëpia e Bardhë tha se vendimi për t'i dhënë fund masave përjashtuese, ka për qëllim të ndalë eksportetet iraniane, një burim kyç i të ardhurave për qeverinë autoritare të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se po punojnë me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës, për të siguruar që tregu të "furnizohet në mënyrë të mjaftueshme".

Arabia Saudite, rivali kryesor i Iranit, e përshëndeti vendimin e Uashingtonit për t'i dhënë fund të gjitha masave përjashtuese prej sanksioneve kundër Iranit deri në muajin maj.

Japonia tha se pret një ndikim të kufizuar nga vendimi amerikan.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit e kritikoi vendimin e SHBA-së, duke i cilësuar sanksionet "të paligjshme".

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga një marrëveshje e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore që i mundësonte Teheranit lehtësim nga sanksionet në këmbim të kufizimit të programin të tij bërthamor.

Sanksionet e reja amerikane kanë goditur ekonominë e Iranit dhe kanë kontribuar në dobësimin e vlerës së monedhës kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG