Lidhje

Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me shefin e kompanisë Twitter


Presidenti Donald Trump u takua të martën me ekzekutivin e lartë të Twitterit, vetëm pak orë pasi u ankua se kjo platformë e mediave sociale e trajton atë padrejtësisht.

Menjëherë pas takimit në Zyrën Ovale me kryeshefin Ekzekutiv të Twitterit, Jack Dorsey, Presidenti Trump postoi një foto të diskutimit në Twitter dhe shprehu një ton më pozitiv. Presidenti e quajti atë një "takim të shkëlqyer", duke thënë se diskutuan shumë tema në lidhje me mediat sociale në përgjithësi.

"Shpresoj të mbajmë një dialog të hapur!" përfundon mesazhi i presidentit Trump.

Nga ana e tij, zoti Dorsey shkruante të martën vonë, "Faleminderit për kohën. Twitteri është këtu për t’i shërbyer të gjithë diskursit publik, dhe ne synojmë ta bëjmë atë më të shëndetshëm dhe më të qytetëruar.”

Zoti Trump, si president i zgjedhur, u takua me drejtuesit e kompanive të teknologjisë së lartë në dhjetor 2016, por askush nga Twitter nuk ishte ftuar.

Takimi i së martës Trump - Dorsey u zhvillua me ftesën e presidentit.

Orë më parë, presidenti Trump, i cili ka rreth 60 milionë pasues në llogarinë e tij personale, u ankua se ekzistojnë përpjekje të qëllimshme nga kompania për ta penguar atë të ketë një bazë më të madhe pasuesish në internet.

Presidenti Trump vuri në dukje se të tjerët kanë më shumë se 100 milionë ndjekës, një referencë e dukshme kjo ndaj paraardhësit të tij, Barak Obama, i cili renditet pas këngëtarëve pop Katy Perry dhe Justin Bieber.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG