Lidhje

SHBA: ligjvënësit në pritje të dëshmisë së zotit Barr mbi raportin Mueller


Pas publikimit të një varianti të redaktuar të raportit të Robert Mueller-it për hetimin ndaj Rusisë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr do të jetë sërisht në qendër të vëmendjes këtë javë me dy paraqitje të planifikuara përpara komisioneve të Kongresit. Sipas korrespondetit të Zërit të Amerikës Michael Bowman, demokratët kërkojnë raportin e plotë dhe të paredaktuar të zotit Mueller dhe janë të vendosur të vazhdojnë hetimin e Presidentit Donald Trump. Republikanët nga ana tjetër, duken të etur të përqëndrohen në të tjera çështje.

Ligjvënësit presin të dëgjojnë dëshminë e njeriut i cili vendosi se cilat pjesë të raportit të Robert Mueller-it do të publikohen dhe cilat do të redaktohen. Para publikimi të variantit të redaktuar, Prokurori i Përgjithshëm Barr mbajti një konferencë shtypi gjatë së cilës theksoi gjetjet përfundimtare të raportit.

"Qeveria ruse u përpoq të ndërhyjë në procesin tonë zgjedhor. Por falë hetimit të plotë të Prokurorit të Posaçëm, tani e dimë se operativët rusë që kryen këto skema nuk kanë bashkëpunuar me Presidentin Trump apo zyrtarët e fushatës së tij".

Zoti Barr bëri gjithashtu bëri komente në favor të Presidentit Trump.

"Ndërsa ai (Trump) tha që nga fillimi, se nuk kishte patur bashkëpunim të fshehtë... ekzistojnë prova të konsiderueshme që tregojnë se presidenti ishte i irrituar dhe i zemëruar duke besuar sinqerisht se hetimi po dëmtonte presidencën e tij, nxitur nga kundërshtarët e tij politikë dhe ushqyer nga rrjedhjet e paligjshme të informacionit".

Por demokratët akuzuan zyrtarin e lartë të zbatimit të ligjit se po vepron si avokat i presidentit.

"Për fat të keq Prokurori i Përgjithshëm Barr është i komprometuar dhe në thelb ka vendosur të manipulojë interpretimin e raportit, në vend që të sigurohet që amerikanët të kenë një shans për një paraqitje transparente të raportit”, thotë ligjvënësja demokrate Debbie Wasserman Schultz.

Nga ana tjetër republikanët i dolën në mbrojtje zotit Barr.

"Opinioni se William Barr në moshën 69 vjeçare dhe në mandatin e tij të dytë si Prokuror i Përgjithshëm do të bënte gjithçka për të dëmtuar imazhin apo reputacionin e tij, është krejtësisht qesharak", thotë senatori Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane.

Raporti i zotit Mueller ka dokumentuar raste të shumta ku presidenti Trump mund të ketë vepruar për të penguar drejtësinë, por nuk ka dalë në përfundimin se presidenti ka kryer një vepër penale. Demokratët thonë se hetimet e Kongresit duhet të vazhdojnë.

"Shumë brenda rrethit të zotit Trump, përfshirë dhe atë vetë, kërkuan haptazi të përfitojnë dhe madje inkurajuan ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet tona ... Presidenti dhe ekipi i tij vazhduan më pas të gënjejnë popullin amerikan dhe u përpoqën ta mbulojnë këtë veprimtari kriminale", thotë senatori demokrat Martin Heinrich.

Por demokratët ndahen lidhur me çështjen nëse apo sa shpejt duhet të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit. Në kontrast, republikanët janë të bashkuar në thirrjen drejtuar Kongresit e kombit, për t'u përqendruar në të tjera çështje.

"Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë, as pengim të drejtësisë ndaj mendoj se njerëzit në përgjithësi janë gati të bëjnë përpara”, thotë senatori republikan Roy Blunt.

Zoti Barr ka planifikuar të dëshmojë përpara komisioneve të të dyja dhomave të Kongresit. Ndërkohë janë ngritur dyshime lidhur me paraqitjen e tij përpara komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas njoftimeve, Departamenti i Drejtësisë i ka kundërshtuar qëllimet e komisionit për të lejuar avokatët e stafit të marrin në pyetje Prokurorin e Përgjithshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG