Lidhje

Në Spanjë, Partia Socialiste në pushtet është fituesja e zgjedhjeve


Në Spanjë, Partia Socialiste në pushtet është fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, me rreth 29% të votave. Kryeministri Pedro Sánchez pritet të fillojë bisedimet për të formuar një qeveri koalicioni.

"Në këto zgjedhje ka fituar e ardhmja dhe ka humbur e shkuara," i tha të hënën zoti Sánchez mbështetësve të tij, që e brohorisnin.

Pas një fushate zgjedhore thellësisht të përçarë, në parlamentin spanjoll për herë të parë që nga regjimi i diktatorit Franco në mesin e viteve 1970, do të ketë vende një parti e ekstremit të djathtë.

Ndërkohë, Partia Popullore e qendrës së djathtë, e cila pati pushtetin deri në qershor të vitit të kaluar, humbi vota në zgjedhjet e së dielës, ngaqë votat u ndanë në mesin e disa partive të djathta.

Socialistët pro-evropianë do të kenë një rritje të madhe të numrit të ligjvënësve nga radhët e tyre, por ende pa mundur të sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar një koalicion me partinë Podemos të krahut të majtë, ose me partitë rajonale.

Kryeministri Sánchez thirri zgjedhjet e parakohëshme, pasi partitë separatiste katalane në koalicionin e tij qeverisës refuzuan të mbështesnin buxhetin e propozuar prej tij.

Çështja e pavarësisë së rajonit të Katalonjës duket se ka patur ndikim të madh tek situata politike e Spanjë, duke krijuar një konfiguracion të pazakontë të partive politike.

Sapo të formohet, qeveria e re e Spanjës përballet me detyrën e vështirë

për të pajtuar palët, në kushtet kur Spanja është bërë një vend gjithnjë e më i polarizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG