Lidhje

Vazhdon gjendja e rëndë e shtypit në Kinë

Shpresa për një shtyp të lirë ka qenë prej kohësh një aspiratë e parealizuar në Kinë dhe perspektiva është bërë gjithnjë e më e rëndë nën kontrollin e rreptë të udhëheqësit kinez Xi Jinping.

Gjatë vitit të kaluar, autoritetet kineze kanë rritur përdorimin e teknologjisë dhe kanë intensifikuar përpjekjet për të penguar aksesin ndaj lajmeve, opinioneve dhe informacionit, madje edhe në platformat e mediave sociale të bllokuara në Kinë, të tilla si Twitteri.

Për këtë qëllim, qeveria ka ngritur atë që quhet Muri i Madh Ndalues i Kinës.

Në ekonominë e dytë më të madhe në botë, mijëra faqe të internetit janë bllokuar, duke përfshirë Facebook, Gmail, Google, Instagram, dhe madje Pinterest. Faqet e internetit të tilla si Zëri i Amerikës në gjuhët anglisht dhe kineze, BBC-ja, New York Times, Bloomberg dhe të tjera, nuk lejohen.

Me shtrëngimin e kontrollit mbi mediat sociale, Twitteri është bërë platforma ku një pjesë e njerëzve ndajnë informacione dhe lexojnë më shumë rreth ngjarjeve botërore.

Muajt e fundit, megjithatë, individë të ndryshëm, si studiues apo avokatë të të drejtave, madje edhe njerëz me shumë pak pasues, janë detyruar të fshijnë postimet dhe në disa raste t’i mbyllin përgjithmonë llogaritë e tyre.

Avokatët e të drejtave thonë se që nga fundi i vitit të kaluar dhjetra njerëz janë thirrur nga autoritetet dhe u është thënë të heqin dorë përndryshe do të përballen me burg. Disa prej tyre thjesht sepse kanë bërë re-tweet ose kanë pëlqyer postimet.

Veprimet e autoriteteve janë pjesë e masave për shtrëngimin e kontrollit mbi lirinë e shprehjes nën presidentin kinez Xi Jinping. Është një shtrëngim që ka ndodhur në mënyrë graduale: nga bllokimi i faqeve të huaja të internetit tek trysnia ndaj operatorëve të faqeve brenda vendit apo ndaj organizatorëve të bisedave në grup në mediat sociale kineze.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG