Lidhje

Përleshje vdekjeprurëse mes Izraelit të militantëve palestinezë


Forcat izraelite dhe militantët në Gaza kanë kryer sulme vdekjeprurëse kundër njëri-tjetrit gjatë ditëve të fundit. Militantët palestinezë goditën me raketa Izraelin, ndërsa ushtria izraelite bombardoi disa objektiva në Gaza. Izraeli thotë se ka interceptuar shumicën e raketave, por të paktën tre izraelitë janë vrarë nga sulmet me raketa. Ndërkohë, njoftohet se afro 20 palestinezë janë vrarë, përfshirë një anëtar të Hamasit, i cili kishte dërguar fonde nga Irani në Gaza. Izraeli ka paralajmëruar për sulme të tjera "masive" përgjatë vijës bregdetare palestineze. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke sjellë hollësitë.

Numri i të vdekurve u rrit të dielën në të dy anët e kufirit mes Izraelit dhe Gazës. Mes të vrarëve njoftohet se është edhe komandanti i Hamasit Hamed Ahmed Al-Khodary, të cilin Izraeli e ka fajësuar për transferim fondesh nga Irani tek militantët në Gaza. Al-Khodary u vra në makinën e tij nga një sulm izraelit, i pari i këtij lloji që nga viti 2014.

Ushtria e Izraelit thotë se më shumë se 600 raketa janë hehdur në drejtim të Izraelit jugor që nga e premtja dhe se Izraeli ka sulmuar 260 objektiva të lidhura me grupet militante Hamas dhe Xhihadi Islamik.

"Ushtria e Izraelit është e përgatitur dhe e pajisur për të vazhduar luftën kundër Hamasit, për të mbrojtur civilët izraelitë nga raketat e hedhura nga Gaza", tha Jonathan Conricus, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Përleshjet në kufi janë më seriozet që prej një vale luftimesh në nëntor të vitit të kaluar. Zyrtarët izraelitë thonë se vala e fundit e dhunës filloi kur një anëtar i grupit Xhihadi Islamik sulmoi me snajper trupat izraelite. Xhihadi Islamik e akuzon Izraelin për vonesat në zbatimit e një marrëveshjeje mirëkuptimi që kishte për qëllim t’i jepe fund të dhunës dhe lehtësimin e bllokadës ekonomike ndaj Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të dielën se ai urdhëroi ushtrinë të vazhdonte sulmet kundër grupeve militante në Gaza.

"Këtë mëngjes i kam udhëzuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit të vazhdojnë sulmet masive kundër terroristëve në Gaza dhe operacionet e tyre të mbështeten me tanke, artileri dhe njersitë e këmbësorisë. Hamasi mban përgjegjësi jo vetëm për sulmet dhe veprimet e veta, por edhe për ato të Xhihadit Islamik, për të cilat paguan një çmim shumë të lartë".

Shtetet e Bashkuara thonë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë territorin e tij.

"I kam parë videot, të cilat ne ende nuk kemi arritur t’i verifikojmë, por ku shihen sulmet ndaj shtëpive, popullatës civile, këto raketa janë hedhur nga zona të banuara me civilë me qëllim që të mos ketë kundërpërgjigje ndaj tyre.Kjo është e tmerrshme. Izraelitët kanë të drejtë të mbrojnë sovranitetin e vendit të tyre dhe unë shpresoj që palët do t’i rikthehen armëpushimit të vendosur para disa javësh, i cili po respektohej para këtij incidenti", u shpreh Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Përleshjet më të fundit kufitare izraelito-palestineze përkojnë me fillimin e muajit të Ramazanit dhe përgatitjet e Izraelit për festimin e Ditës së Pavarësisë së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG