Lidhje

Tiranë, arrestohet ish deputeti i PD Klevis Balliu


Në Tiranë, ish deputeti demokrat Klevis Balliu është mbajtur nën arrest, pasi më parë gjatë ditës ai u shoqërua në Komisariatin numër 6 të kryeqytetit për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të qarkulllimit të mjeteve dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Ish deputeti ju bashkua gjatë paradites banorëve të zonës së Astirit të cilët prej disa muajsh protestojnë kundër projektit të Unazës së re i cili parashikon prishjen e dhjetra ndërtimeve, banesa e biznese, një pjesë e madhe e të cilave pa leje. Banorët bllokuan sot rrugën ndërsa aty do të kalonte kryeministri Edi Rama, i cili do të vizitonte mjediset e një biznesi.

Situata u tensionua kur forcat e policisë ndërhynë për të larguar banorët. Balliu u shoqërua në Komisariat së bashku me disa protestuesë, katër prej të cilëve u lanë të lirë nga policia pasdite. Me herët drejtuesë të Partisë Demokratike u grumbulluan para Komisariatit për të kërkuar lirimin e ish deputetit dhe banorëve të shoqëruar. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi akuzoi policinë se po vepron në bazë të urdhërave politikë. "Drejtori i Policisë së Tiranës me urdhër politik të Edi Ramës tenton të intimidojë qytetarët në shkelje flagrante të ligjit. Janë duke fabrikuar prova dhe fakte me urdhër politik të Edi Ramës për të mbajtur qytetarë të pafajshëm, mes tyre deputetin e opozitës Klevis Balliu të shoqëruar në polici”, deklaroi Bardhi.

Edhe ish deputeti Edi Paloka bëri përgjegjëse policinë për dhunë që sipas tij është ushtruar ndaj protestuesve. “Janë sulur si bisha mbi qytetarët, duke i dhunuar me gaz, me lëndë djegëse, dhe me gjithçka që kanë pasur në dorë. Kanë marrë burra e gra dhe i kanë përplasur në furgonat e policisë dhe tani janë brenda, ku mbahen pa asnjë të drejtë, në kundërshtim edhe me ligjin, por edhe me të drejtën njerëzore. Kjo është mënyra se si vepron kjo qeveri. Të jetë i bindur Rama dhe kushdo tjetër, që do të marrë përgjigjen e merituar. Sa më shumë ta shtojë dhunën dhe represionin, aq më i fortë do të jetë reagimi qytetar”.

Partia Demokratike shpërndau dhe rrëfimin nga spitali të një prej protuestuesve i cili akuzon forcat e Rendit se e kanë keqtrajtuar dhe kanë derdhur gaz mbi trupin e tij duke i shkaktuar djegie në pjesë të ndryshme.

Nga ana e saj policia deklaroi përmes një komunikate të shpërndarë në mbrëmje, se “gjatë tubimit të paligjshëm zhvilluar sot në mesditë në aksin kryesor rrugor në zonën e Unazës së Re, një grup protestuesish kanë goditur me sende të forta duke plagosur 4 punonjës policie, 3 nga forcat "Shqiponja" dhe 1 nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë”.

Për arrestimin e ish deputetit Balliu, reagoi nga Shkodra kryetari Demokrat Lulzim Basha. “Është dita kur Edi Rama do të kthejë të burgosurit politikë, po përdor policinë për të dhunuar qytetarët kundër ligjit. Ia them qartë e prerë: I ke orët e numëruara. Nuk pranojmë kurrë më që ligji të veprojë me 2 standarde, të nderojë e të mbrojë trafikantët e vajzave dhe grave, trafikantët e drogës, dhe të dhunojë qytetarët e ndershëm, biznesin e ndershëm , ata që mbrojnë pronën dhe shtëpitë e tyre”, deklaroi zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG