Lidhje

Sri Lanka: thuajse të gjithë të dyshuarit e sulmeve të Pashkëve janë arrestuar


Presidenti i Sri Lankës tha të martën se pothuajse të gjithë të dyshuarit për shpërthimet vdekjeprurëse të Pashkëve në kisha dhe hotele të vendit janë arrestuar.

Presidenti Maithripala Sirinë i tha Agjencisë Associated Press se "99 për qind" e të dyshuarve ishin kapur, dhe se materialet e tyre shpërthyesese ishin konfiskuar. Policia tha se pasuritë me vlerën e rreth 40 milionë dollarëve në pronësi të autorëve janë ngrirë.

Më shumë se 250 vetë u vranë më shumë dy javë më parë, kur militantët në Sri Lankë bombarduan kisha dhe hotele luksoze të mbushura me besimtarë me rastin e Pashkëve. Dy ditë më vonë, Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet.

Kryeministri Ranil Wickremesinghe tha të martën se të gjithë xhihadistët përgjegjës për sulmet janë arrestuar ose vrarë, por se vendi ende kërcënohet nga "terrorizmi global".

Zoti Wickremesinghe i tha parlamentit se pavarësisht prishjes së pjesës më të madhe të rrjetit të lidhur me sulmet, vendi me shumicë budiste kërkon ndihmë më të madhe ndërkombëtare për të parandaluar sulme në të ardhmen. "Ne kemi nevojë për shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me partnerët e huaj për trajtimin e kësaj sfide," tha kryeministri sri lankas.

Tetë vende tashmë po marrin pjesë në hetimin e udhëhequr nga Sri Lanka, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG