Lidhje

Haradinaj: ka dyshime që Thaçi, Rama dhe Vuçiç kanë diskutuar për ndarjen e Kosovës


Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të mërkurën se ekziston një dyshim i bazuar, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar lidhur me ndarjen e Kosovës.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës lidhur me "Dialogun Kosovë - Serbi pas takimit të Berlinit".

Kryeministri Haradinaj tha se diskutimet për ndarjen e Kosovës janë bërë nën udhëheqjen e Shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Haradinaj, dyshime mbi një plan për ndarjen e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

“Ekziston një dyshim i bazuar, që zoti Vuçiç, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës, ekziston ky dyshim i bazuar por nuk mund të konfirmoj edhe ekziston ky dyshim i bazuar se kjo është bërë nën udhëheqjën e zonjës Mogherini. Shpresoj që ata do t’i kërkojnë falje njëri tjetrit për kohën që i kanë humbur vetes dhe popujve të vet edhe Bashkimit Evropian”, - tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se këto ide u janë prezantuar edhe disa nga qeverive të vendeve mike të Kosovës.

“Në të kaluarën ka pas një insistim të madh të udhëheqësve të Ballkanit, kur po them udhëheqësve të Ballkanit për fat të keq nuk ka qenë veç Serbi-Kosovë por të disave, minimum tre se kjo është zgjidhja. Dhe disa prej qeverive ose shumë pak qeveri të vendeve Quintit e kanë shqyrtuar këtë sepse kanë shkuar të zgjedhurit e këtij vendi. Tani janë shumë më të qartë edhe ata dhe e shohin se ka qenë drejtim i gabuar. Unë mendoj që jemi dhe çështja e kufijve është kaluar, e territoreve dhe atyre rreziqeve”, - tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se procesi i bisedimeve të udhëhequra nga zonja Mogherini nuk do të vazhdojë më, pasi sipas tij, tashmë shumë shpejt asaj do t’i përfundoj mandati. Ai bëri thirrje ndërkaq që të mos ushtrohet trysni ndaj Kosovës për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe, pasi që një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Është gabim pozicioni edhe i Washingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë për heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjermania dhe Franca kanë thirrur një takim të radhës pas atij të Berlinit që pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, për t’i hapur mundësisë rifillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, që mbeten të pezulluara nga nëntori i vitit të kaluar pas reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Beogradi kërkon heqjen e tyre si kusht për rifillimin e bisedimeve, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi ta bindë kryeministrin Haradinaj për një gjë të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG