Lidhje

Thaçi: SHBA-të rol udhëheqës në dialog. Ndryshe s’ka sukses


Për presidentin e Kosovës arritja e një marrëveshjeje me Serbinë nuk do mund të zgjidhet pa një rol të dorës së parë në proces nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Pa rolin udhëheqës të SHBA-ve nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm e lëre pastaj ndonjë marrëveshje e zbatim”, deklaroi zoti Thaçi për mediat në përfundim të takimit të Krerëve të Shteteve të Balkanit Perëndimor, i organizuar në Tiranë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit. Presidenti i Kosovës tha se ishte ndjerë “i tmerruar” kur kishte mësuar se takimi i Berlinit, i thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron “nuk ishte koordinuar me SHBA-të”. Në muajin korrik një tjetër takim është thirrur në Paris. “Shpresoj se Samiti i Parisit do të prodhojë substance. Dua të besoj se vendet e BE do të jenë më unike jo siç ndodhi në Berlin” theksoi zoti Thaçi.

Por për presidentin Aleksandar Vuçiç, i cili së fundmi është shprehur se “nuk do ta njoh kurrë Kosovën” bëhet fjalë për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, gjë e cila sipas tij, duhej zgjidhur mes tyre. “I kam thënë Prishtinës. Nuk është e nevojshme që të thërrisni Kolindën (presidenten kroate) apo Pahor-in (presidentin slloven) apo amerikanët. Nuk ka fuqi që të mund të detyrojë Serbnë që të veprojë kundër interesave të saj kombëtare”, theksoi zoti Vuçiç për mediat serbe pas takimit të sotëm në Tiranë, ku ai pati dhe një shtrëngim të ftohtë duarsh me zotin Thaçi ndërsa pranë tyre ndodhej në ato moment dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini.

Vendimi i marrë disa muaj më parë nga Prishtina, për vendosjen e tarifave 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja, solli ndërprerjen e menjëhershme të përpjekjeve për dialog mes dy vendeve. Presidenti Thaçi përsëriti dhe sot se “se tarifa është një vendim i drejtë dhe legjitim dhe si e tillë do të mbetet në fuqi”. Megjithatë sipas tij “duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizim të plotë, ligjërisht obliguese që nuk krijon vija etnike, e që vendet tona mbesin multietnike”, tha ai duke shtuar se kjo marrëveshje duhet “të përfshijë dhe Luginën e Preshevës në territorin e Kosovës, pa cënuar asnjë centimetër të saj”.

Nga ana tjetër ai theksoi se “pavarësisht se dëgjohen ide të ndryshme, nuk do të lejojmë që në Kosovë të krijohet asnjë asociacion, as me mandate ekzekutive apo tjetër, sepse ngjall një model të Republikës serbe dhe krjimi i një modeli të tillë do të ndikonte në ndarjen e Kosovës dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të vihet në tavolinë nga askush”.

Presidenti serb nga ana e tij pohoi se "Serbia po hyn në një fazë të vështirë në marrëdhëniet me Prishtinën. Situata është kjo, dhe do të jetë gjithnjë e më e vështirë për ne. Nuk do të jetë e lehtë për asnjë çast”. Sipas tij palët “janë aktualisht vite larg një marrëveshjeje”.

Presidenti Thaçi përsëriti për mediat, atë çka kishte deklaruar një ditë më parë në përfundim të takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama “për mundësinë e heqjes së tërësishme të kufirit Kosovë - Shqipëri si një model europian nën ombrellën e vlerave euro-atlantike. Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar dhe një hapësire ku jetojnë shqiptarë pa kufi, gjithnjë duke përfshirë Luginën e Preshevës në territorin e Kosovës".

Kjo deklaratë duket se ka shqetësuar Serbinë. Për Radiotelevizionin serb RTS, Vuçiç është shprehur se “kur lejohet që një popullsi, si ajo shqiptare, e dyta për nga madhësia në rajon pas serbëve, të flaës për bashkim, atëherë nuk flitet për hapjen e Vazos së Pandorës, por për diçka shumë më të rrezikshme”, mësohet të ketë thënë presidenti serb, duke shtuar se sipas tij “një mini-Schengen teorik mes Prishtinës dhe Tiranës, është një çmenduri. Nëse unë do të flisje për bashkim të serbëve, menjëherë do të kishin reaguar institucionet e huaja dhe BE-ja, përveçse nja 10-15 ministra të vendeve anëtare”.

Gjatë takimti të sotëm të krerëve të Shteteve të Ballkanit, presidenti i Kosovës ka ngritur dhe çështjen e liberalizimit të vizave. “Kemi plotësuar të gjitha kriteret. Nëse nuk do të ndodhë është një diskriminim, ndëshkim e padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës”, theksoi zoti Thaci.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG