Sot është Dita Kombëtare e Drejtësisë në Shqipëri ndaj Prokuroria e Tiranës zhvilloi një takim me studentë të juridikut dhe magjistraturës dhe me ekspertë ndërkombëtarë.
Përfaqësuesja e misionit amerikan OPDAT, Michele Lakomy, tha se me reformën në drejtësi ndryshimi po ndodh, dhe procesi po funksionon.
“Reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjit janë dy nga përparësitë kryesore të politikës së jashtme, sepse ato mund të sjellin një të ardhme më të mirë për popullin shqiptar, po ashtu si edhe lufta ndaj korrupsionit. Qyshkur kam ardhur në Shqipëri kam takuar shumë njerëz të dekurajuar nga përhapja e madhe e korrupsionit dhe lëvizja e lirë e kriminelëve pa asnjë ndëshkim. Por kapja Kelmend Balilit është një shembull se sistemi funksionoi, pasuritë e tij u bllokuan që të mos mbështesin veprimtari të tjera të paligjshme. Po ashtu është edhe rasti i Emiliano Shullazit, që bashkë me të parin tregojnë se drejtësia mund të funksionojë me gjyqtarë e prokurorë të ndershëm, të pastër dhe me integritet. Këto raste u japin gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë shpresë dhe frymëzim. Sistemi gjyqësor ka nisur të funksionojë dhe profesionistë me integritet po bëhen pjesëtarë të ndryshimit” - tha zonja Lakomy.
Reforma në sistemin e drejtësisë është një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në përmirësimin e jetës së saj të brendshme dhe në plotësimin e standartave të kërkuara nga BE. Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë ndaj kësaj reforme, që synon të pastrojë korrupsionin nga rradhët e drejtësisë, ndërkohë që matjet e perceptimit të publikut flasin për një shtrirje të gjerë masive të korrupsionit nga nivelet më të larta të administratës shtetërore e deri tek zyrat e niveleve më të ulëta.
Facebook Forum