Lidhje

Letoni, nuk i mbijeton plagëve Majori shqiptar


Rëndohet bilanci i aksidentit të ndodhur në bazën e Natos në Letoni ku pak ditë më parë humbi jetën nëntetarja e Forcave të armatosura Zarife Hasanaj. Mbrëmjen e së premtes, ministria e Mbrotjes njoftoi se majori Klodian Tanushi, komandanti i kontingjenit shqiptar ka ndërruar jetë në spital. Major Tanushi kishte marrë plagë të rënda gjatë shpërthimi ku mbeti i lënduar dhe Rreshteri Julian Kapaj. Ai u shtrua fillimisht në spitalin e bazës Camp Adazi, dhe më pas u transferua për të marrë trajtim më të specializuar në spitalin Riga East University Hospital, të kryeqytetit letonez.

Pak minuta pasi kishte mësuar lajmin ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shkroi ne Facebook se “një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim”.

Edhe presidenti Ilir Meta u shpreh “i tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të Komandantit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO në Letoni, major Klodian Tanushi. Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta! Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”

Kryetari i opozitës Lulzim Basha shkruajti se "me hidhërim të thellë përcolla lajmin se sonte në mbrëmje u nda nga jeta prej plagëve të marra major Klodian Tanushi, komandanti i kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni. Ju përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes së major Tanushit dhe miqve, kolegëve e të afërmve të tij. Në veçanti mendimet e mija shkojnë pranë bashkëshortes dhe tre fëmijëve të major Klodian Tanushit. Lutem që shpirti i tij të prehet në paqe!".

Lajmi për ndarjen nga jeta të Major Tanushi mbërriti në ditën kur Shqipëria kishte shpallur zi kombëtare për të nderuar kujtimin e Nëntetares 32 vjeçare Zarife Hasanaj, e cila u shpall Dëshmore e Atdheut.

Trupi i saj u soll nga Letonia të enjten, ndërsa dje në Tiranë u zhvillua ceremonia mortore. Familjarë, të afërm, kolegë dhe autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit bën homazhe pranë arkivolit të ushtarakes. Presidenti Ilir Meta u shpreh se “rënia e saj në krye të detyrës, është dëshmi e përkushtimit të Forcave tona të Armatosura dhe të Shqipërisë në çdo angazhim dhe mision të NATO-s”. Ndërsa në fjalën e tij në ceremoninë mortore kryeministri Edi Rama tha se “vajza, e mbështjellë me flamurin e atdheut, është sot mishërimi tronditës i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, të përkushtimit dhe të sakrificës për atdheun, që e kanë krijuar dhe e rikrijojnë përditë në kryerjen e misionit të saj, qenien e patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të Forcës së Armatosur të Republikës, një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës dhe të natës, me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah në çdo sfidë dhe mision të NATO-s”, u shpreh kyeministri Edi Rama në fjalën e tij. Arkivoli i mbështejellë me flamurin kombëtar u përcoll më pas në Varrezat e Dëshmorëve.

Nëntetarja Hasanaj dhe Major Tanushi humbën jetën gjatë një stërvitje në bazën e Natos në Letoni. Efektivët e ushtrisë shqiptare kishin si detyrë bonifikimin e një zone ku një ditë më parë ishte kryer stërvitje me të shtëna artilerie. Mësohet se ata kanë hasur në disa predha të paplasura, njëra prej të cilave ka shpërthyer në rrethan ende të paqarta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG