Lidhje

Vendoret, PS miraton kandidatët


Në Shqipëri, Kryesia e Partisë socialiste miratoi sot listën e kandidatëve që do të konkurrojnë për kryetarë të Bashkive në zgjedhjet e 30 Qershorit. Siç ishte konfirmuar që më parë, në Tiranë, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj kandidon për mandatin e dytë. Në dy qytete të tjera të mëdha, Durrës dhe Elbasan, zoti Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini nuk kandidojnë më pas 3 mandatesh. Prej kohësh ata kanë qenë në qendër të sulmeve të opozitës për dyshimet për korrupsion dhe lidhje me elementë kriminalë. Në qytete të tjera të mëdha socialistët kanë konfirmuar drejtuesit aktualë, ndërkohë që 5 deputetë do të lënë mandatet për të konkurruar për kreun e Bashkive.

Socialistët nuk do të kenë përballë këtë herë kundërshtarët e tyre historikë. Partitë e opozitës nuk do të marrin pjesë në zgjedhje dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e tyre. Ndërsa sot në mbrëmje në Tiranë, ata organizojnë një tjetër protestë, e 12-ta që prej muajit shkurt kur ata dolën nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet.

Një ditë më parë ambasada amerikane i bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të “të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive. Në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës”, nënvizonte deklarata.

XS
SM
MD
LG