Lidhje

Vritet me atentat gazetarja afgane Mena Mangal


Mena Mangal

Zyrtarët afganë thonë se një gazetare e njohur televizive është vrarë në Kabul të Afganistanit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Raimi thotë se gazetarja Mena Mangal u qëllua për vdekje në orën 7:20 sot në Kabul.

Kalimtarët që e panë aktin pranë tregut Karte Naw i thanë agjencisë Radio Evropa e Lirë/Radio Liria se dy burra u afruan me motoçikletë ndërsa gazetarja po priste që të vinte dikush me makinë.

Sipas blerësve në qendrën tregtare, një nga personat me motoçikletë qëlloi me armë zjarri katër herë në ajër për të shkaktuar panik që të largoheshin njerëzit, pastaj e goditi zonjën Mangal dy herë në kraharor.

Ajo punonte si këshilltare për kulturën në parlamentin afgan. Më parë ajo kishte punuar për më shumë se 10 vjet si prezantuese televizive për televizionin Ariana si dhe për kanalin Shamshad TV.

Ajo kishte edhe llogari të suksesshme në median sociale ku diskutonte të drejtat e grave afgane dhe promovonte nevojën e vajzave afgane për shkollim.

Ajo kishte ndarë me pasuesit e saj edhe detaje personale si faktin që e kishin detyruar të martohej me shkusi dhe peripecitë e shumta që kishte kaluar për t’u divorcuar. Gazetarja kishte përmendur se burime anonime e kishin kërcënuar me vdekje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG