Lidhje

Kryebashkiaku i larguar i Stambollit dënon goditjen e Erdoganit ndaj demokracisë 


Ekrem Imamoglu tronditi politikën turke kur fitoi zgjedhjet për bashkinë e Stambollit, duke i dhënë fund një sundimi 25-vjeçar të partisë së Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Zoti Imamoglu mori detyrën rreth një muaj më parë dhe zbuloi menjëherë shpenzimet e tepruara të zyrtarëve të qytetit. Papritmas, komisioni zgjedhor urdhëroi një rinumërim të votave dhe zoti Imamoglu nuk e ushtron dot më detyrën e kryebashkiakut.

Pas fitores së tij historike, Ekrem Imamoglu premtoi pajtim në të gjithë Stambollin dhe u zotua t’i japë fund përçarjeve të thella politike të Turqisë.

Është ky mesazhi që i dha atij fitoren. Por, kryebashkiaku i ri e mbajti postin për vetëm 19 ditë. Komisioni zgjedhor e anuloi fitoren e tij dhe urdhëroi një rinumërim të votave.

Komisioni zgjedhor mbështeti pretendimet e Presidentit Erdogan se fitorja e ngushtë e Ekrem Imamoglut u shoqërua me manipulime dhe parregullsi.

“Kjo është një goditje që do të shënohet në histori si një njollë e errët. Kjo është shumë e qartë. Prandaj jam shumë i hidhëruar. Jo për veten time, por për gjithë shoqërinë tonë. Është hidhërimi që ndjej kur shikoj një goditje të tillë ndaj demokracisë së Turqisë. Por, do ta vëmë në vend të drejtën. Kjo është lufta jonë”, thotë zoti Imamoglu.

Anullimi i rezultatit ka provokuar zemërim në rrugët e Stambollit.

Protesta të përnatshme vazhdojnë në mbarë qytetin, ndërsa po afron rivotimi në Stamboll muajin e ardhshëm.

“Është e qartë se ky votim nuk është vetëm për Stambollin. Këto janë zgjedhje vendore, por edhe një luftë për demokracinë. Prandaj fushata jonë do të rritet dhe qindra mijëra njerëz do të marrin pjesë”, thotë zoti Imamoglu.

Fitorja e zotit Imamoglu në Stamboll dhe mesazhi i përfshirjes po rigjallëron partinë e tij CHP, në veçanti mes të rinjve të qytetit.

Duke ngrënë pas agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në një familje të Stambollit, zoti Imamoglu, i cili ka një prejardhje konservatore, plotëson me lehtësi hendekun mes laikes dhe fetares.

“Është e qartë se ajo çfarë po kalojmë është mbi politikat partiake. Prandaj paqtimi social, bashkimi, mund të shndërrohen në një mundësi, në një frymë më të lartë. Ajo çfarë do të pasojë mund të reflektohet tek ekonomia, tek arsimi, paqja sociale dhe liria. Nëse e shikon pamjen të plotë, çdo gjë do të jetë më e bukur”, tha zoti Imamoglu.

Ish-kryetar i një minibashkie deri disa muaj më parë, shumë pak njerëz kishin dëgjuar për zotin Imamoglu.

Por, ai mund të paraqesë rrezikun më të madh të drejtpërdrejtë për zotin Erdogan, ndërsa vendi përgatitet për rivotimin në Stamboll që mendohet të jetë procesi më i rëndësishëm për vendin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG