Lidhje

Presidenti Trump shtron një darkë Iftari në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Donald Trump mbajti një darkë Iftari në Shtëpinë e Bardhë për nder të ambasadorëve dhe anëtarëve të trupit diplomatik që përfaqësojnë vende me shumicë myslimane. Në një fjalim të mbajtur me këtë rast, presidenti Trump u uroi myslimanë në mbarë globin "Ramazan të mbarë". Në darkë ishin të ftuara edhe ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti të hënën ambasadorët dhe diplomatët nga vendet me shumicë myslimane në Shtëpinë e Bardhë për një darkë iftari që shënon fundin e agjërimit që mbahet nga myslimanët gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

"Jemi të kënaqur të ndajmë këtë darkë të veçantë, me shumë personalitete të shquara, me shumë miq, kam kaq shumë miq në këtë dhomë dhe partnerë të çmuar nga e gjithë bota. Jemi të nderuar nga prania juaj dhe të fuqizuar nga miqësia juaj. Faleminderit shumë të gjithë që jemi këtu,"- tha Presidenti.

Presidenti Trump tha se Ramazani është "koha për bamirësi dhe lidhje mes familjeve dhe komuniteteve".

Presidenti foli gjithashtu për tejkalimin e fanatizmit dhe dhunës që kanë prekur njerëzit e besimeve të ndryshme gjatë javëve të fundit.

"Zemrat tona janë të mbushura me hidhërim për myslimanët që u vranë në xhamitë e tyre në Zelandën e Re, ashtu si dhe të krishterët, hebrenjtë dhe fëmijët e tjerë të Zotit, të cilët u vranë në Sri Lanka, Kaliforni dhe Pitsburg. Në kujtim të tyre, ne zotohemi të mposhtim të këqijat e terrorizmit dhe përndjekjen fetare, në mënyrë që të gjithë njerëzit të adhurojnë pa frikë, të luten pa rrezik dhe të jetojnë me besimin që rrjedh nga zemra e tyre".

Presidenti Trump bëri thirrje gjithashtu për lutje për "një të ardhme ne harmoni dhe paqe".

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, kandidati Donald Trump bëri thirrje për ndalimin e plotë të të gjithë muslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe ka nënshkruar urdhra të shumtë ekzekutive që kufizojnë imigracionin nga vendet me shumicë myslimane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG