Lidhje

SHBA, ligjvënësit të shqetësuar nga rritja e tensioneve me Iranin


Këtë javë, zyrtarët amerikanë pritet të informojnë ligjvënësit mbi arsyet që çuan administratën e Presidentit Trump të forconte praninë ushtarake të Amerikës në Lindjen e Mesme, përfshirë evakuimin e personelit jo të domosdoshëm nga strukturat diplomatike në Irak. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë kanë kërkuar që Shtëpia e Bardhë të ndajë informacionet rreth kërcënimeve që mendon se paraqet Irani.

Me fjalë dhe me vepra, administrata e Presidentit Trump ka ngritur alarmin mbi Iranin dhe grupet e mbështetura nga Teherani.

"Nëse sulmohen interesat amerikane, ne me siguri do të përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme", tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Ligjvënësit po kërkojnë më shumë informacion për këtë.

"Do t’i bëja thirrje Departamentit të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes që të vijnë këtu dhe të na shpjegojnë se çfarë po ndodh, sepse nuk e kam idenë se për çfarë kërcënimi bëhet fjalë përveç atyre që kam lexuar në gazeta", tha senatori republikan, Lindsay Graham.

"Ne kemi nevojë për qartësi dhe përgjigje, tani", tha senatori demokrat, Robert Menendez.

I pyetur nëse lufta me Iranin është në horizont, Presidenti Donald Trump tha:

"Shpresoj që jo."

Disa kanë frikë nga një përsëritje e retorikës që i parapriu pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003.

"Ne nuk kemi nevojë për një tjetër moment si ai me armët e shkatërrimit të masë të Irakut që na çoi në një nga angazhimet më katastrofike ushtarake, kur nuk kishte armë të shkatërrimit në masë", thotë senatori demokrat Robert Menendez.

Ish-komandanti i forcave amerikane në Irak thekson se Amerika duhet të përpiqet të ndryshojë sjelljen e Iranit e jo ndryshimin e regjimit në Iran.

"Unë mendoj se ideja e pushtimit nuk është duke u shqyrtuar seriozisht. Mendoj se ne duhet të kishim mësuar deri tani, sidomos pas Pranverës Arabe, se ndryshimi i regjimit nuk sjellë gjithmonë rezultatin për të cilin ne shpresojmë", thotë gjenerali David Petreaeus, ish drejtor i CIA-s.

Tani për tani, shumë republikanë janë të gatshëm të mbështesin administratën, duke marrë parasysh veprimet e kaluara të Iranit.

"Unë e mbështes atë që po bën administrata në lidhje me përforcimin e aftësive tona ushtarake në rajon, sepse ky është një mesazh për Iranin se nëse do të përpiqet të bëjë atë që bëri në vitet 2004, 2005 dhe 2006, pravrasjen dhe plagosjen e mijëra ushtarakëve tanë (në Irak), se ne do të kemi aftësitë për t’ju ndëshkuar".

"Është shumë e drejtpërdrejtë. Nëse Irani sulmon, do të ketë luftë. Nëse Irani nuk do të na sulmojë, nuk do të ketë luftë", thotë senatori republikan Marco Rubio.

Shumë demokratë, ndërkohë, janë treguar më të kujdesshëm.

"Unë vetëm dua të marr një konfirmim mbi qëllimin e rritjes së presionit ndaj Iranit. Shumë prej nesh mendojnë se kjo është bërë me hamendje, pa një plan përfundimtar të përcaktuar mirë", thotë senatori demokrat Chirs Murphy.

"Amerikanët meritojnë të dinë se çfarë po ndodh. Nëse Presidenti dhe republikanët në Kongres po planifikojnë t’i çojnë Shtetet e Bashkuara në një konflikt, madje edhe në një luftë në Lindjen e Mesme, populli amerikan meriton ta dijë këtë dhe arsyet e një veprimi të tillë", thotë Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrate në senat.

Krerët e Kongresit morën informacione të fshehta për këtë çështje javën e kaluar. Ndarja e informacioneve të ngjashme për ligjvënës të tjerë nga të dyja partitë janë planifikuar të bëhen në ditët e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG