Lidhje

Shkup, Kryeministri Zaev synon ndryshime në kabinetin qeveritar


Zaev Ahmeti
Zaev Ahmeti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev synon të bëjë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, përkatësisht të largojë nga postet e ministrave, zëvendësministrave dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë të cilët nuk kanë treguar rezultate, apo që kanë shfaqur një lloj arrogance, siç është shprehur ai të marten. Por, ndërkohë që me ministrat nga radhët e partisë së tij Lidhja Social Demokrate e ka më lehtë të veprojë, zotit Zaev i duhet pëlqimi nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të realizuar riformatimin e qeverisë. Kështu, ata u takuan të marten pasdite për të biseduar se kush duhej të largohej nga qeveria, megjithëse dy partnerët e koalicionit nuk bënë të ditur asnjë hollësi lidhur me këto plane.

Zyra për komunikim e qeverisë në Shkup lëshoi një njoftim ku thuhet se “Kryeministri Zaev dhe kryetari i BDI-së Ahmeti e filluan procesin e forcimit të kapaciteteve të kuadrove të institucioneve qeveritare për rezultate më të mira ekonomike”. Dy drejtuesit e partive të koalicionit qeveritar kanë diskutuar mbi dobësitë e një pjese të funksionarëve të pushtetit ekzekutiv, thekson komunikata, ndërsa thuhet se takimet dhe konsultat do të vazhdojnë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, qysh pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale paralajmëroi “pastrimin” apo “fshesën” siç qe shprehur, në strukturat e larta qeveritare e deri tek ato lokale, si dhe brenda patisë së tij LSDM, për shkak të vlerësimit se votuesit ishin dëshpëruar dhe i kërkonin atij të bëjë ndryshime pozitive.

Nga ana tjetër, disa prej ministrave që janë nga radhët e BDI-së, nuk e shikojnë pozitën e tyre të rrezikuar nga Kryeministri Zaev, përderisa e kanë mbështetjen e drejtuesit të tyre politik, Ali Ahmeti. Megjithatë, riformatimi duhet të ndodhë me që Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit u shua dhe po kalon në Ministri për Sistem politik dhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi nga radhët e partisë Alternativa ka dhënë dorëheqjen për arësye shëndetësore, siç ka bërë të ditur vetë ai dhe këto vende duhet të plotësohen.

Media në Shkup ka spekuluar për një lloj ‘rokade’ të ministrive midis LSDM-së dhe BDI-së apo edhe për të hequr ministrin e Pushtetit vendor që është përfaqësues i Rilindjes Demokratike Kombëtare e cila ka vetëm një deputet në parlament, por këto zëra i ka hedhur poshtë vetë ligjvënësi dhe kryetar i RDK-së Vesel Memeti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG