Lidhje

Ekonomia portugeze rimëkëmbet, pavarësisht krizës


Ekonomia e Portugalisë po i reziston zymtësisë që mbizotëron në Evropë. Aktiviteti ekonomik në Portugali vazhdon të jetë i fortë, me një rritje prej 0.5% të GDP-së gjatë tremujorit të parë. Sipas parashikimeve të Brukselit, niveli i rritjes vjetore të Portugalisë do të jetë 1.8%, ndërkohë që pjesa tjetër e Eurozonës parashikohet të jetë në nivelin 1.2%. Duke vazhduar tendencën e filluar në vitin 2018, forma e mirë ekonomike e Portugalisë vjen kryesisht prej konsumit privat, të nxitur nga rritja e pagave dhe punësimi. Të dhënat paraprake të botuara nga instituti kombëtar i statistikave, tregojnë “një përshpejtim domethënës në investime”.

Që nga viti 2014, defiçiti qeveritar ka rënë nga 7.2% e GDP-së, në 0.5%. Në vitin 2013, papunësia ishte në 17.9%, ndërsa tashmë është në rreth 6%. “Sektori i turizmit ka qenë nxitësi kryesor për rimëkëmbjen e eksporteve portugeze”, konfirmoi për Zërin e Amerikës Drejtori i Zyrës për Portugalinë në Organizatën për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD), Ben Westmore.

Këto shifra e bëjnë Portugalinë shumë të preferuar për institucionet ndërkombëtare financiare. Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, lavdëroi kohët e fundit gjatë një vizite në Lisbonë, rimëkëmbjen ekonomike të Portugalisë. “Portugalia dhe populli portugez meritojnë atribute të mëdha për përpjekjet e tyre, për të cilat ata duhet të jenë krenarë”, u shpreh zonja Lagarde.

Megjithë rimëkëmbjen spektakolare dhe rënien e papunësisë, një ndjesi kujdesi dhe rrogash ende të ulëta janë të pranishme në mbarë Portugalinë. Rroga minimale është rreth 600 Euro në muaj, shifër që nuk ka rikthyer dot në vend shumë të rinj që u larguan gjatë krizës ekonomike. Gjatë periudhës 2008 – 2014, nga Portugalia largoheshin rreth 120 mijë persona çdo vit. 20% e tyre ishin punonjës të specializuar, thotë profesori i sociologjisë, Joao Miguel Trancoso Lopes.

Profesor Lopes filloi një studim dhe intervistoi shumë prej të larguarve për të kuptuar motivimet që vazhdojnë t’i mbajnë larguar nga vendi, apo çfarë do t’i kthente në vend.

“Nuk e shikojnë Portugalinë si vend me shumë mundësi. Pagat e ulëta janë një pengesë e vërtetë. Kërkojnë për punë më të mirë, gjithnjë jashtë vendit. Në dallim nga brezat e mëparshëm, të rinjtë portugezë që jetojnë jashtë vendit, nuk ëndërrojnë të rikthehen në atdhe”, i tha Zërit të Amerikës, profesori Lopes.

Vetë profesori paguhej rreth 3 mijë Euro në muaj përpara krizës ekonomike. Sot, ai paguhet 2 mijë e 600 Euro në muaj. Një tjetër shqetësim është sektori i kujdesit shëndetësor, i cili pësoi shkurtime të mëdha buxhetore gjatë krizës.

Bruno Maia është neurolog në Lisbonë. Ai e pranon se qeveria e tanishme ndërmori disa masa për të lehtësuar impaktin, si p.sh. u punësuan doktorë dhe infermiere.

“Dëmi që iu shkaktua sistemit tonë të kujdesit shëndetësor është kaq i thellë, sa që këto vende të reja pune nuk kompensojnë dot çfarë u humb gjatë krizës. Nuk mjafton. Problemet janë duke u shtuar dhe ne po sforcohemi”, i tha Zërit të Amerikës zoti Maia. Si shembull, ai përmendi se një procedurë jo urgjente, si p.sh. një skanim MRI, mund të kërkojë deri në një vit kohë për t’u bërë.

Megjithë këto probleme, Antonio Costa, kryeministri socialist që u zotua në 2015-tën për kapërcimin e ngërçit ekonomik, vazhdon të jetë popullor në Portugali. Partia e tij dhe aleatët duket se do të fitojnë në zgjedhjet evropiane të 26 majit.

“Euroskepticizmi, që u shtua shumë gjatë krizës, nuk është edhe aq i rëndësishëm sot. Nuk ka gjasa të mundet Partia Socialiste, e cila gëzon popullaritet në Portugali”, i tha Zërit të Amerikës profesori i shkencave politike në universitetin e Lisbonës, Andre Freire.

Portugalia ka 21 vende në Parlamentin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG