Duke patur në vëmendje rizgjedhjen në vitin 2020, Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij po përforcojnë pohimet se Presidenti Obama urdhëroi FBI-në të përgjonte fushatën e tij të vitit 2016. Muajin e kaluar zoti Trump ripërsëriti thirrjet për të "hetuar hetuesit", dhe javën e kaluar Prokurori i Përgjithshëm filloi një shqyrtim të vendimit të agjencive të zbulimit, për të hetuar lidhjet e dyshuara mes Rusisë dhe fushatës Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton sesi shprehja Spygate është bërë një thirrje e njohur në tubimet e presidentit Trump.
Gjatë fushatës së vitit 2016, Donald Trump e përdori këtë thirrje për të entuziazmuar përkrahësit kundër rivales Hillary Clinton.
Tre vjet më vonë, thirrja “verini prangat” është rikthyer.
Por pas inaugurimit të tij, presidenca e zotit Trump u errësua shpejt nga hetimi i prokurorit Mueller për ndërhyrjen ruse në fushatë. Raporti i tij nuk arriti në përfundimin se fushata e Donald Trump-it bashkëpunoi me Rusinë në zgjedhje. Por ajo la hapur çështjen nëse presidenti pengoi drejtësinë gjatë hetimit, duke i dhënë demokratëve nxitje për hetime të mëtejshme.
Që nga publikimi i raportit të prokurorit Mueller, presidenti Trump i është kthyer termit “Spygate”,
(( https://twitter.com/realDonaldTrump/status/999246677549768704 ))
… një akuzë që ai fillimisht e vuri në Tweeter në maj 2018, duke pretenduar se administrata e Barack Obamës kishte vendosur një spiun në fushatën e tij.
Është duke u bërë një temë e njohur në tubimet e tij, duke përfshirë edhe në Pensilvani më herët këtë javë.
“Tani i gjetëm. Po na spiunonin. Ata po përgjonin fushatën tonë!”
Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm William Barr urdhëroi një shqyrtim të vendimit të FBI-së të vitit 2016 për të nisur një hetim kundërzbulimi të fushatës Trump.
"Nëse jemi të shqetësuar për ndikimin e huaj, për të njëjtën arsye duhet të shqetësohemi nëse zyrtarët qeveritarë kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe kanë vepruar mbi ligjin. Nuk po them se kjo ka ndodhur, por po them se duhet të shohim nëse kjo ka ndodhur".
Disa analistë e shohin këtë lëvizje si një strategji të Donald Trump-it për të rritur mbështetjen.
"Ajo që baza pëlqen tek ai dhe që ka pëlqyer që nga fillimi është se ai është luftarak përballë traditës. Ai është shumë luftarak. Pra, po, ata do të hetojnë hetuesit dhe sinqerisht, nuk do të jetë mirë për të", thotë Elaine Kamarch me Institutin Brookings.
Kamarck shton se strategjia "hetimi i hetuesve" mund të përfundojë duke nxjerrë më shumë informacion diskreditues rreth presidentit.
Por zoti Trump po vë bast se do të minojë kredibilitetin e raportit të prokurorit Mueller dhe kundërshtarëve të tij.
"Donald Trump ka qenë krijues në lidhje me interpretimin e së vërtetës kaq shpesh, saqë mendoj se njerëzit shpesh dorëzohen sepse nuk dinë se çfarë është e vërtetë. Pra, është e lehtë për të të thotë se "ky informacion që po del kundër meje nuk është i vërtetë dhe ne duhet të hetojmë synimet, apo të hetojmë njerëzit që po japin këtë informacion", thotë Shannon Bow O’Brien me universitetin e Teksasit në Ostën.
Më parë këtë muaj, drejtori i FBI Chris Wray tha se nuk e konsideron mbikqyrjen e miratuar nga gjykata si "përgjim", duke shtuar se ai nuk ka prova se FBI-ja ka monitoruar ilegalisht fushatën Trump.
Një pikëpamje që nuk ka rëndësi për përkrahësit e presidentit.
Facebook Forum