Lidhje

Kriza në kufirin amerikan dhe prurjet e migrantëve


Administrata e Presidentit Trump ka fajësuar krizën humanitare dhe të sigurisë në kufirin jugor amerikan për vdekjen e disa fëmijëve migrantë. Shefi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara i tha një Komisioni të Senatit (të enjten) se numri i imigrantëve që hyjnë në Shtetet e Bashkaura gjatë muajve të fundit është shtuar, duke e bërë të vështirë procedimin për familjet dhe fëmijët e pashoqëruar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zllatica Hoke njofton se vdekja e fëmijëve ndërsa janë të ndaluar nga organet amerikane, ka shkaktuar zemërim tek publiku.

Imazhet e imigrantëve brenda kampeve me tela në pritje të seancave dëgjimore, historitë e fëmijëve të ndarë nga prindërit, dhe ato fëmijëve që flenë në tokë në pikat kufitare, kanë nxitur kritika nga grupet e të drejtave të njeriut, politikanët dhe amerikanët e zakonshëm. Një djalë 16 vjeçar nga Guatemala, i cili humbi jetën nga gripi në fillim të muajit, është fëmija i gjashtë imigrant që ndërron jetë ndërsa është i ndaluar nga autoritetet amerikane. Familja e tij në Guatemalë kërkon më shumë informacion rreth vdekjes së tij.

Gilberta Vazquez është nëna e djalit nga Guatemala që humbi jetën ndërsa ishte i ndaluar nga organet e rendit.

“Nuk ka informacion se si ndërroi jetë. Kjo është ajo që dua të di. Ajo për të cilën po luftoj është që ata të më dërgojnë trupin e djalit sa më shpejt të jetë e mundur.”

Sekretari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Kevin McAleenan, tha se agjencia ka mungesë fondesh për t’u kujdesur ashtu siç duhet për numrin tejet të madh të familjeve në kufi.

“Pothuajse 110 mijë emigrantë u përpoqën të kalonin pa status ligjor muajin e kaluar, numri më i madh në një dekadë. Mbi 65 përqind, sikurse theksuat ju, ishin familje dhe fëmijë të pashoqëruar. Do të thotë se mbi 40 mijë fëmijë hynë në sistemin e imigracionit në një muaj të vetëm.”

Ai tha se numri në rritje i fëmijëve dhe familjeve mban shumicën e punonjësve të kufirit larg nga detyrat e sigurisë, duke e bërë më të lehtë për kriminelët të fusin drogë dhe trafikojnë njerëz në Shtetet e Bashkuara.

“Dyzet për qind e agjentëve merren me procesin e përpunimit të të ardhurve, transportin, ushqyerjen dhe veprime të tjera. Kjo çon në rrezikimin serioz të sigurisë, çfarë mendoj se nuk mund të tolerohet, duke patur parasyshë rreziqet epidemike të drogës ndaj komuniteteve tona në mbarë vendin.”

Politika e ashpër e Presidentit Trump për imigracionin është kritikuar nga demokratët. Një ligjvënëse e zemëruar nga Illinoi akuzoi administratën të mërkurën për mizori të qëllimshme. Deklerata e saj u hoq nga dokumentet zyrtare, por ilustron thellësinë e ndarjes partiake mbi imigracionin.

Të enjten, senatori republikan Mitt Romney u bëri thirrje demokratëve dhe republikanve që të punojnë së bashku për të siguruar kufirin amerikan.

“Sigurimi i kufirit, dhe ndalimi i prurjeve që kanë pushtuar kufirin ilegalisht, është diçka që duhet trajtohet jashtë seferës politike.”

Ligjvënësit pajtohen se kriza në kufi kërkon burime shtesë ndërsa disa thonë se situata nuk mund të zgjidhet vetëm me para.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG