Lidhje

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë vazhdojnë vizitën në Japoni


Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kryeministri Shinzo Abe i Japonisë shprehën pikpamje të ndryshme të hënën, nëse testet e fundit të Koresë së Veriut me raketa shkelën një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nga ana tjetër, të dy udhëheqësit mbeten të bashkuara mbi synimin përfundimtar të arritjes së çarmatimit bërthamor të Gadishullit Korean.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve në Tokio, zoti Trump tha se ai i shihte testet si një përpjekje për vëmendje nga udhëheqësi Kim Jon Un i Koresë së Veriut, dhe se ai personalisht nuk ishte i shqetësuar nga to.

Zoti Abe tha se provat bërthamore shkelën rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Ai gjithashtu theksoi në mënyrë të përsëritur se në negociatat me Korenë e Veriut, qeveria e tij është kryesisht e interesuar në zgjidhjen e çështjes së rrëmbimeve të qytetarëve japonezë nga Koreja e Veriut.

Komentet e zotit Trump u përqendruan kryesisht tek çështjet ekonomike, duke shprehur pritshmërinë e tij për arritjen e marrëveshjeve tregtare me Japoninë dhe Kinën, çfarë do të reduktonte defiçitin tregtar të Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan theksoi atë që e shesh si një “mundësi të madhe ekonomike” për Korenë e Veriut, nëse ai vend bën një marrëveshje ku përfshihet heqja dorë nga armët bërthamore.

Kryeministri japonez Abe përshëndeti atë që ai quajti një përparim të vazhdueshëm të bisedimeve tregtare me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në sektorin e energjisë, sektorët dixhital dhe të infrastrukturës. Ai shprehu shpresën për bashkëpunim të mëtejshëm dhe vlerësoi vizitën e Presidentit Trump si një ngjarje që i tregon botës për një “lidhje të patundshme” që ruajnë të dy vendet.

Nuk pritet ndonjë arrije e shpejtë në bisedimet për tregtinë ndonëse të dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për një pakt tregtar dypalësh pasi zoti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Partneriteti Trans-Paqësor i 12 vendeve, të drejtuar nga Tokio dhe Uashingtoni gjatë administratës së Presidentit Barack Obama.

Në fillim të bisedimeve të së hënës, zoti Trump tha se ai do të pranonte që zoti Abe të shërbente si ndërmjetës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me këtë çëshjte, Presidenti Trump u shpreh:

“Kryeministri më ka folur tashmë për këtë gjë. Besoj se Irani do të donte të bisedonte dhe nëse duan edhe ne do të donim të bisedonim. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Por e di se kryeministri Abe ka marrëdhënie të mira me udhëheqjen e Iranit.”

Më vonë gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Kryeministrin Abe, Presidenti Trump tha se, “Mendoj se ne do të kemi një marrëveshje”.

“Ka shansin të bëhet një vend i fuqishëm, me të njëjtën udhëheqje. Nuk po kërkojmë ndryshim regjimi. Duam ta bëjmë të qartë. Nuk duam armë bërthamore”, shtoi Presidenti Trump.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u përshkallëzuan gjatë javëve të fundit, ndërsa zoti Trump u dha fund disa lëshimeve që u lejonte disa nga blerësve më të mëdhenj të naftës iraniane pavarësisht sanksioneve amerikane. Presidenti Trump po ashtu shtoi prezencën ushtarake në rajon si reagim ndaj asaj që e cilësoi shtim të kërcënimeve iraniane.

Herët të hënën, Presidenti Trump u bë udhëheqësi i parë i huaj që u takua me Perandorin Naruhito, i cili erdhi në fron me 1 maj. Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u pritën në një ceremoni mikrpriëse në Pallatin Perandorak.

Delegacioni amerikan u përshëndet në pallatin perandork nga dhjetëra nxënës të shkollave fillore që valvisnin flamuj japonezë dhe amerikanë. Një bandë ushtarake luajti hymnet e të dy vendeve. Udhëheqësi amerikan u prit në një banket perandorak mbrëmjen e së hënës.

Para largimit të martën, Presidenti Trump do të vizitojë bazën detare në Yokosuka ku do të ketë rastin të shohë një helikoptermbajtëse japoneze dhe do të flasë para personelit ushtarak amerikan me rastin e Ditës së të Rënëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG