Lidhje

Netanyahu përpiqet të shmangë përsëritjen e zgjedhjeve


Izraeli po përballet me një krizë politike pas dështimit të Kryeministri Benjamin Netanyahu për formimin e një koalicioni qeveritar. Nëse ai nuk siguron mbështetjen e duhur deri të mërkurën mbrëma, parlamenti do të shpërndahet dhe vendi do të zhvillojë zgjedhje të reja me 28 gusht.

Gjatë një fjalimi të hënën mbrëma, zoti Netanyahy premtoi se do të bënte gjithçka të mundur për të mënjanuar përsëritjen e zgjedhjeve të kushtueshme.

“Brenda 48 orëve mund të bëhen shumë gjëra. Dëshirat e votuesve mund të respektohen. Një qeveri e fuqishme e krahut të djathtë mund të formohet. Ne mund të sjellim stabilitet dhe qeverisje të mirë në Izrael. Shpresoj që njerëzit të arsyetojnë dhe të bëjnë atë që duhet.”

Më herët të hënën, zoti Netanyahu nuk arriti të bënte marrëveshje me kreun e partisë nacionaliste “Yisrael Beiteinu” Avigdor Lieberman, si rezultat i mospajtimit për një projektligj që rregullon përjashtimin nga sherbimi ushtarak të studentëve “haredi yeshiva” (që i përkasin fesë hebraike ultra-ortodokse). Përjashtimi nga shërbimi ushtarak ka qënë një çështje e debatueshme për shumëve vite në vendin ku ushtria është e detyrueshme. Zoti Lieberman po kërkon shtimin e numrit të hebrejve ulta-ortodoksë në forcat e armatosura dhe gjoba për institucionet që nuk e respektojnë këtë. Por partitë ortodokse duan më shumë përjashtime nga radhët e ushtrisë. Zoti Netanyahu ka nevojë për zotin Lieberman dhe partitë ulta-ortodokse për të formuar një shumicë qeverisëse.

“Duam të formojmë një qeveri ku do të jetë e qartë se nuk do të ketë kompromis në ligjin për shërbimin ushtarak për ultra-ortodoksët. Nuk është diçka që ne e fshehim”, tha kreu i partisë ‘Yisrael Beiteinu’ Avigdor Lieberman.

Të hënën, parlamenti izraelit ndërmori hapin e parë drejt zgjedhjeve të reja duke i dhënë miratimin paraprak një ligji për shpërndarjen e parlamentit. Duhen edhe tre vota për miratimin përfundimtar të ligjit, i cili do të çonte në zgjedhje të reja.

Benny Gantz, drejtues i aleancës opozitare “Blue and White” e kundërshton ligjin dhe thotë se i duhet dhënë një shans partisë së tij për të ndërtuar një koalicion. Zoti Ganz ishte rivali kryesor i zotit Netanyahu në zgjedhjet e prillit.

“Grupi ynë do të kundërshtojë shpërndarjen e parlamentit për një arsye të thjeshtë, se zgjedhjet në këtë kohë janë një truk politik”, tha zoti Ganz.

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu mbështetjen për zotin Netanyahu përmes një postimi në Twitter.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG