Lidhje

Ish presidentit gjeorgjian Saakashvili i rikthehet shtetësia ukrainase


Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenskiy, i riktheu nënshtetësinë ukrainase Mikhail Saakashvilit, ish presidentit gjeorgjian, i cili shërbeu si guvernator i rajonit të Odesës në Ukrainë në vitet 2015-16.

Në një dekret të publikuar në faqen e internetit të Presidencës më 28 maj, presidenti ukrainas anuloi një pjesë të dekretit të paraardhësit të tij Petro Poroshenko të korrikut 2017, që i hiqte shtetësinë Saakashvilit.

Dekreti i presidentit Zelenskiy vjen tetë ditë pas inaugurimit të tij dhe gjashtë ditë pasi avokati i Saakashvilit, Ruslan Chornolutskiy, paraqiti një kërkesë për t’i ridhënë shtetësinë Saakashvilit.

Mikhail Saakashvilit iu dha shtetësia ukrainase dhe u emërua në postin e Guvernatorit të Odesës në 2015 nga Petro Poroshenko, me të cilin kishin njohje që nga vitet kur të dy ishin studentë.

Autoritetet në Tbilisi ia hoqën shtetësinë gjeorgjiane Saakashvilit në dhjetor 2015, me argumentin se Gjeorgjia nuk lejon shtetësinë e dyfishtë.

Më pas, kur marrëdhëniet mes Poroshenkos dhe Saakashvili u keqësuan lidhur me akuzat për korrupsion dhe përpjekjet për reforma, në nëntor 2016 Poroshenko e shkarkoi Saakashvilin nga posti i guvernatorit të Odesës.

Në korrik 2017, pasi Saakashvili krijoi një parti opozitare të quajtur “Lëvizja e Forcave të Reja”, Poroshenko lëshoi një dekret që i hiqte Sakashvilit shtetësinë ukrainase.

Në shkurt të vitit të kaluar, Mikhail Saakashvili u arrestua në Kiev dhe u dërgua me avion në Poloni.
Disa ditë më vonë, shërbimi kufitar i Ukrainës ia ndaloi atij hyrjen në Ukrainë deri më 13 shkurt 2021.

Saakashvili erdhi në pushtet në Gjeorgji, pasi ndihmoi në udhëheqjen e protestave paqësore të Revolucionit Rozë më 2003, kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tbilisit.

Partia e tij u largua nga pushteti nga një forcë e opozitës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 dhe mandati i tij si president skadoi në vitin 2013.

Mikhail Saakashvili aktualisht banon në Holandë, që është vendlindja e gruas së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG