Lidhje

Spastrime dhe ekzekutime në Korenë e Veriut?


Një nga gazetat më me ndikim të Koresë së Jugut njoftoi të premten se Koreja e Veriut ka ekzekutuar të dërguarin e saj të lartë në Shtetet e Bashkuara, pas samitit të dështuar të shkurtit mes Kim Jong Unit dhe Presidentit Trump. Disa studjues për Korenë e Veriut thonë se askush nuk e di arsyen e këtij veprimi.

Jo se analistët kanë dyshime që Koreja e Veriut do të kryente një spastrim të tillë në radhët e udhëheqjes; Pheniani ka ekzekutuar në të kaluarën ata që ai i sheh si një kërcënim për familjen Kim në pushtet.

Por gazetat e Koresë së Jugut nuk kanë njoftuar në mënyrë të rregullt për incidente të tilla. Në disa raste, shifrat e raportuara për vrasjet në Korenë e Veriut janë publikuar me vonesë, pas disa javësh, ose muajsh.

Njoftimi më i fundit erdhi nga "Chosun Ilbo", gazeta më e madhe e Koresë së Jugut. Kjo gazetë konservatore njoftoi se Kim Hyok-chol, që udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara përpara takimit të shkurtit mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim në Hanoi, është ekzekutuar në mars, së bashku me katër zyrtarë të tjerë të lartë "nën akuzat për spiunazh në favor të Amerikës".

Po sipas gazetës, një tjetër zyrtar, Kim Yong-chol, i cili njihet si "krahu i djathtë" i Kim Jong Un-it, është dërguar në një kamp të pune për ri-edukim. Kim Song-hye, një nga diplomatet më të larta femra të Koresë së Veriut, u dërgua në një kamp si e burgosur politike, ndërsa përkthyesi i Kim Jong Un-it në samitin e Hanoit u dërgua në burg për një "gabim në përkthim".

Gazeta "Chosun Ilbo" nuk thotë se si e gjeti informacionin, por thjesht citon "një burim". Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur njoftimit të gazetës jugkoreane, por të enjten paralajmëroi përmes një artikulli redaksional të botuar në median shtetërore, për dënime kundër akteve "anti-revolucionare".

I pyetur për artikullin, një zëdhënës në zyrën presidenciale të Koresë së Jugut paralajmëroi kundër "përfundimeve të nxituara". Ministria e Unifikimit në Seul, gjithashtu nuk pranoi të komentojë. Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit nuk i janë përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për komente lidhur me këtë çështje.

Spastrime nga Koreja e Veriut

Është shumë e vështirë për të marrë informacion të besueshëm nga Koreja e Veriut, një vend totalitar që kufizon të gjitha liritë civile dhe politike të qytetarëve të saj. Kjo është e vërtetë sidomos për veprimet e ndërmarra në fshehtësi nga udhëheqja e vendit. Kim Jong Un besohet të ketë kryer disa spastrime të zyrtarëve të lartë dhe të nivelit më të ulët që nga ardhja në pushtet në vitin 2011, pas vdekjes së babait të tij, Kim Jong Il. Ndoshta më famëkeqi prej tyre, ishte urdhëri për ekzekutimin e xhaxhait dhe këshilltarit të tij të afërt, Jang Song Thaek, në vitin 2013.

Por gazetat e Koresë së Jugut shpesh nuk raportojnë me vërtetësi për këto spastrime. Për shembull, gazeta "Choson Ilbo" njoftoi në vitin 2013 se ish e dashura e Kim-it këngëtarja Hyon Song Wol, u ekzekutua publikisht për shkeljen e ligjeve të Koresë së Veriut kundër pornografisë. Por ajo u shfaq në një emision televiziv pak kohë më pas.

"Sipas gazetës "Chosun Ilbo", Hyon Song Wol ka vdekur që në vitin 2013, edhe pse ajo u shfaq në samitin e Hanoit këtë vit," shkroi në Tweeter Chad O'Carroll, Drejtor Ekzekutiv i organizatës "Korea Risk Group", që ka portalin mediatik me ndikim "NK News". Zoti O'Carroll, me bazë në Seul, por që viziton në Korenë e Veriut, thotë gjithashtu se një burim i ka thënë se Kim Hyok Chol, i dërguari i Koresë së Veriut, ‘ishte parë në Ministrinë e Jashtme në Phenian kohët e fundit’,".

A është Kim i rrezikuar?

Historia më e fundit e ekzekutimit të të dërguarit në bisedimet me Uashingtonin është e besueshme për disa analistë, veçanërisht pasi dështimi i samitit të Hanoit e la Kim Jong Unin në një pozitë të vështirë. Samiti përfundoi papritmas në fund të shkurtit, pasi Presidenti Trump doli jashtë dhe deklaroi se Kim nuk ishte gati për një marrëveshje serioze bërthamore.

Kim Jong Un donte që Presidenti Trump të hiqte pothuajse të gjitha sanksionet ndaj Koresë së Veriut, në shkëmbim të çaktivizimit të pjesshëm të programit të tij bërthamor. Por zoti Trump këmbënguli se ai nuk do të hiqte asnjë sanksion para se zoti Kim të binte dakord që të hiqte dorë nga të gjitha armët e tij bërthamore.

Ashtu sikurse babai dhe gjyshi i tij, Kim është trajtuar në propagandën shtetërore të Koresë së Veriut, si një njeri i përkryer - një individ me tipare hyjnore - dhe jo personi që mund të kthehet duar bosh nga një samit.

"Në Korenë e Veriut, kur ndodh diçka e tillë, problemi shihet ndryshe, sepse udhëheqësi, sipas tyre, është i pagabueshëm dhe asgjë nuk mund të shkojë keq", - thotë analisti veteran Aidan Foster-Carter, studjues për Korenë, me bazë në Britani. Ka disa tregues, sipas të cilëve organet shtetërore të Koresë së Veriut nuk dinin se si të reagonin ndaj samitit të dështuar të Kim Jong Unit.

Menjëherë pas kthimit të zotit Kim nga Hanoi, mediat e Koresë së Veriut njoftuan se takimi ishte një sukses i vërtetë. Por vetëm disa ditë më vonë ata e pranuan se takimi ishte i pafrytshëm, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara që bënë kërkesa të paarsyeshme.

Në javët që pasuan, të paktën në një njoftim u tha se Koreja e Veriut kishte ekzekutuar disa anëtarë të ekipit negociues të Hanoit, megjithëse këto njoftime ishin të paqarta dhe nuk u vërtetuan.

"Këto thashetheme kanë qarkulluar për një farë kohe", tha në Twitter Jeffrey Lewis, studjues i Koresë së Veriut në Institutin "Middlebury". "Unë ende nuk jam i sigurt nëse i besoj këto njoftime, por fatkeqësisht ato po bëhen shumë specifike."

Foster-Carter, akademik britanik, pajtohet me mendimin se artikulli i gazetës "Choson Ilbo", është më i detajuar se raportet e tjera të ngjashme. "Ka shumë detaje për rrethanat ... me fjalë të tjera, kjo tingëllon si një burim i informuar", - thotë ai.

Nëse është e vërtetë, ekzekutimet do të ndihmonin për të shpjeguar përse negociatorët e amerikanë nuk kanë qenë në gjendje të takohen me homologët e tyre koreanoveriorë në javët e fundit. Kjo gjithashtu mund të nënkuptojë se udhëheqësi koreanoverior Kim ndjen presion në rritje brenda vendit, thotë Kim Seok-hyang, studjuese për Korenë e Veriut në Universitetin "Ewha Women" në Seul. "Njerëzit e tij janë kërcënimi i tij më i madh për të", - thotë studjuesja.

Ndërsa elitat e Koresë së Veriut shprehen publikisht në mbështetje të udhëheqësit Kim, kjo mund të ndryshojë, nëse ata e shohin se ai është duke dështuar në arenën ndërkombëtare, thotë studjuesja.

Një tjetër tregues: të enjten, "Rodong Sinmun", gazeta zyrtare e partisë në pushtet në Korenë e Veriut, botoi një artikull-opinion kundër "akteve antiparti dhe antirevolucionare" ndaj udhëheqësit suprem të vendit.

"Këta janë tradhtarë, i mësojnë vetëm përmendësh fjalët e besnikërisë ndaj udhëheqësit dhe madje ndryshojnë sipas modës së kohës", thuhet në artikull.

"Njerëz të tillë nuk do t'i shmangen dot gjykimit të ashpër të revolucionit", - thuhet në artikullin e gazetës zyrtare të Koresë së Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG