Lidhje

Pompeo takon Merkel, diskutojnë mbi kundërshtitë


Në vizitën e tij të parë në Gjermani, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u takua sot me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Zonja Merkel kishte thënë para takimit se një ndër temat për diskutim “pa dyshim është Irani. Si do të garantojmë se Irani nuk do të zotërojë armë bërthamore?”

Më parë, në një konferencë për shtyp me homologun gjerman, Heiko Mass, zoti Pompeo foli për INSTEX, sistemi që po krijojnë evropianët për të mbrojtur kompanitë e tyre nga sanksionet amerikane nëse angazhohen në transaksione me Iranin. Shefi i diplomacisë amerikane tha se Uashingtoni nuk do të krijojë pengesa për INSTEX-in, për sa kohë që aktiviteti i kompanive evropiane me Iranin përqëndrohet tek ndihmat humanitare dhe shkëmbimi i produkteve të tjera të lejuara.

Sistemi INSTEX ende nuk është në funksionim, por evropianët shpresojnë që ta fusin në funksionim këtë verë.

Zoti Mass tha se megjithëse SHBA ishin tërhequr nga traktati me Iranin, synimet mbeteshin të njëjta: ofrimi i mbështetjes ekonomike në shkëmbim për vendosjen e kufizimeve mbi kapacitetet iraniane të programit bërthamor.

Gjatë qëndrimit në Berlin, shefi i diplomacisë amerikane u bëri thirrje partnerëve evropërianë të shmangin përdorimin e teknologjisë së firmës kineze Huawei. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos ndajnë më informacione të sigurisë me vendet që instalojnë rrjetet celulare të kompaninë kineze Huawei, të cilën Uashingtoni e konsideron si kërcënim. Po ashtu ai u bëri thirrje autoriteteve gjermane të shtojnë shpenzimet e mbrojtjes dhe të mendohen mirë para se të fillojnë zbatimin e një projekti naftësjellësi me Rusinë.

Vizita në Gjermani është ndalesa e parë e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo gjatë turneut 5 ditor në Evropë. Pas Gjermanisë Sekretari Pompeo shkon në Zvicër, Holandë dhe Londër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG