Lidhje

Kërcënimi i Bashës: Koha e fjalëve po mbaron


Kryetari demokrat Lulzim Basha ashpërsoi tonet në mbyllje të protestës së opozitës, mbrëmjen e së dielës në Tiranë, kur kërcënoi se “e sotmja është dita e fundit ku unë ju drejtohem me argumentat e arsyes, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do e ketë vetëm sovrani, vetëm populli”. Manifestimi i rradhës do të jetë të shtunën e ardhshme. Zoti Basha foli nga selia e Partisë së tij, pasi për më shumë se një orë, hyrja kryesore e parlamentit mori pamjen e një fushë beteje, me tym e flakë. Grupe protestuesish lëshuan pa ndërprerje shashka, flakadanë dhe fishekzjarre drejt oborrit të godinës, në brendësi të së cilës qëndronin të rreshtuara forcat speciale të policisë si dhe një automjet ujëhedhës. Pas thirrjeve të përsëritura drejtuar protestuesve që të largoheshin, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujëhedhësen.

Bilanci i mbrëmjes është me 13 të lënduar, nga të cilët sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj “10 janë punonjës policie dhe 3 protestues, dhe këta të prekur nga lëndët piroteknike”. Nga spitali ku vizitoi të plagosurit, ministri Lleshaj, bëri përgjegjës kryetarin demokrat Lulzim Basha “për sulmin kriminal nga militantë të Partisë Demokratike, kundër Policisë së Shtetit. Është jashtë çdo standarti një sulm i dhunshëm kundër policisë. Përpjekja për destabilizim e dhunë është e pashpresë”, theksoi ai.

Më herët ishte zoti Basha që akuzoi policinë për “dhunë jo proporcionale. Shqiptarët nuk do pranojnë dhe nuk do lejojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. I them Ramës e LLeshajt se do mbani përgjegjësi para ligjit. Se përpjekja për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do marrë përgjigjen e merituar”, u shpreh zoti Basha.

Por në një reagim për ngjarjet para parlamentit, ambasada e SHBA-ve në Tiranë u shpreh se dënon “dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”.

Në fakt, protesta filimisht u duk se do të qëndronte larg akteve të dhunës. Para selisë së kryeministrisë zoti Basha foli hipur në një podium të vendosur në mes të një rrethi të rinjsh që mbanin mbanin tollumbace të bardhë me mbishkrimin “Rama IK” dhe yje të verdhë duke krijuar kështu simbolin e Bashkimit Europian. “Shqipëria si gjithë Europa” është slogani që opozita ka zgjedhur në protestat e shumta të organizuara prej saj, që kur në muajin shkurt vendosi të largohet nga parlamenti duke dorëzuar mandatet e deputetëve të saj. Një lumë tymueses dhe shashkash u hodhën drejt godinës së policisë, ndërsa përpjekja e një grupi mbështetësish për të çarë kordonin e policisë, u ndërpre nga ndërhyrja e zotit Basha dhe eksponentëve të Partisë demokratike të cilët kërkuan të mbanin distancën nga rreshtimi i policisë.

Fjalimi i zotit Basha, para selisë së Kryeministrisë, ishte i mbushur me akuzat e forta ndaj qeverisë, per korrupsion, lidhje me krimin dhe vjedhje të zgjedhjeve. Për opozitën, çdo zgjidhje duhet të kalojë në mënyrë të pashmangshme përmes largimit të zotit Rama nga drejtimi i Qeverisë. Edhe sot kryetari demokrat përsëriti se “ka vetëm një rruge për ta zgjidhur situatën politikisht, përndryshe e gjithë fatura do jetë për Edi Ramën”, duke shtuar dhe një herë se “populli është bashkë për të çuar deri në fund betejën, të gjithë të vendosur dhe të qartë”.

Pavarësisht së në mënyrë të përsëritur, përfaqësuesit e Komunitetit ndërkombëtar, i kanë mëshuar nevojës së dialogut, ndërsa janë dënuar me forcë aktet e dhunës në protesta, nuk ka patur asnjë shenjë të afrimit të pozicioneve të palëve. Opozita e cila kërkon me ngulm largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një Qeverie kalimtare të të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, e ka ashpërsuar gjithnjë e më shumë qëndrimin e saj. Aktet e forcës në protestat e saj erdhën duke u shtuar, dhe nga ana tjetër ajo përfundimisht refuzoi pjesmarrjen në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Kryeministri nga ana e tij ka mohuar në mënyrë kategorike dorëheqjen, apo dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve vendore. Ai dhe drejtuesit e Partisë socialiste kanë nisur ndërkohë dhe fushatën zgjedhore, ndonëse do të jenë thuajse të vetëm në pjesën më të madhe të vendit, ose me kundërshtarë që vështirë se mund të vënë në rrezik kandidatët e tyre në të 61 bashkitë e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG