Lidhje

Rusi, arrestohet gazetari investigativ


Një gazetar i njohur investigativ rus është akuzuar për trafik droge, pasi në çantën e tij të shpinës u gjetën katër gramë drogë sintetike (mephedrone). Njoftimi u bë nga policia e Moskës të premten. Ivan Golunov, i cili punon për faqen e pavarur të internetit "Meduza", u ndalua nga policia në Moskë të enjten pasdite. Policia njoftoi gjithashtu se një sasi tjetër droge ishte gjetur në shtëpinë e tij. Drejtoresha e përgjithshme e “Meduza-s” Galina Timchenko tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se zoti Golunov, një nga gazetarët më të shquar në Rusi, është rrahur ndërsa mbahej në paraburgim si dhe i ishte mohuar mundësia për të kryer një test mjekësor për të treguar se ai nuk ka përdorur drogë. Zonja Timchenko tha se ajo ka fotografi që tregojnë keqtrajtimin e gazetarit. Policia e Moskës i hodhi mohoi akuzat për rrahje. Ivan Golunov duhej të paraqitej në gjykatë të premten në mbrëmje. Avokati mbrojtës tha se klienti i tij nuk ishte lejuar të kontaktonte familjen apo avokatin për 12 orë nga momenti i ndalimit. Zonja Timchenko tha se kohët e fundit gazetari 36 vjeçar kishte marrë kërcënime që lidheshin me një shkrim investigativ rreth të cilit ai po punonte.

Jemi të bindur se Ivan Golunov është i pafajshëm'' tha ajo në një deklaratë.

"Për më tepër, kemi arsye të besojmë se Golunovi po përndiqet për shkak të punës së tij si gazetar. Ne e dimë që ai ka marrë kërcënime gjatë muajve të fundit dhe e dimë se me cilin artikull të papërfunduar lidhen këto kërcënime”.

Policia e Moskës e shoqëroi me nëntë fotografi deklaratën e saj për ndalimin gazetarit Ivan Golunov, disa prej të cilave tregonin çanta me një substancë të bardhë dhe shishe të mëdha boshe që sugjeronin se ai kishte në shtëpi një laborator droge të improvizuar.

Një mik i gazetarit, Alexander Urzhanov tha për “Associated Press” se ai ka qenë në shtëpinë e Ivan Golunovit dhe se pamjet që tregoi policia nuk mund të ishin marrë nga apartamenti i tij i vogël.

Emri i Ivan Golunovit u bë i njohur vitet e fundit me investigimin e korrupsionit në nivel lokal në Moskë.

XS
SM
MD
LG