Ministrat e Financave të ekonomive më të mëdha në botë u mblodhën të shtunën në Fukuoka të Japonisë në kuadër të grupit të 20-s në mesin e tensioneve tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.
Ministri japonez i Financave Taro Aso tha për gazetarët se ishte i shqetësuar rreth fatit të mosmarrveshjeve tregtare mes Uashingtonit e Pekinit. Nëse nuk zgjidhen në kohën e duhur tha ai, ato mund të dëmtojnë sigurinë e tregut dhe vënë në rrezik ekonominë botërore
"Lajmi i keq është se nuk është e qartë se si do të përfundojnë bisedimet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës dhe nëse nuk do të ketë zgjidhje, ekziston një shqetësim që besimi i tregut mund të lëkundet më tej dhe ky përbën një problem", tha ai.
Ministri japonez i Financave tha gjithashtu se megjithëse ekonomia botërore po përballet me rreziqe të ndryshme, rritja ekonomike ka të ngjarë të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ministrat e financave diskutuan gjithashtu mundësitë e një politikë të re tatimore bazuar në volumin e biznesit që një kompani kryen në një vend dhe jo atje ku e ka selinë. Ministrat e Financave të G-20 ranë dakord për të nxitur hartimin e rregulloreve të përbashkëta që do të mbyllnin hendekun që krijojnë gjigandët e teknologjisë botërore si Facebook-u, duke përdorur mundësitë për të ulur barrën e taksave ndaj tyre.
Facebook-u, Google Amazon-i si dhe kompani të tjera të teknologjisë janë kritikuar për ulje të faturave të tyre tatimore, duke siguruar fitime në vendet me tatime të ulëta pavarësisht vendndodhjes së klientit përfundimtar, praktika që shumë i shohin si të padrejta. Rregullat e reja nënkuptojnë ngarkesa më të larta tatimore për firmat e mëdha shumëkombëshe, por gjithashtu do ta bënin situatën më të vështirë për vende si Irlanda që të tërheqin investime të huaja direkte me premtimin për norma të ulëta tatimore ndaj korporatave.
Takimi dy-ditor i Grupit të 20-s hedh bazat për takimin e udhëheqësve të këtyre vendeve që mbahet në Osaka të Japonisë në datat 28 dhe 29 qershor.
Facebook Forum