Në Shqipëri presidenti Ilir Meta bëri sot një shpjegim të gjatë të arsyeve kushtetuese dhe ligjore që sipas tij e çuan në vendimin për të anulluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, akt të cilin ai e paralajmëroi të shtunën në mbremje dhe e firmosi sot publikisht gjatë një transmetimi televiziv direkt në përfundim të një deklarate të gjatë.
Që në fillim zoti Meta saktësoi se “sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen”.
Duke folur për situatën e krijuar pas vendimit të opozitës për të dalë nga parlamenti e më vonë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore, si dhe për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, zoti Meta u shpreh se “e gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, kjo për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë. Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtes që po përdorin palët politike, si President i Republikës evidentoj se, ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme. Si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, e konsideroj këtë moment si rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend.
Duke u ndalur më pas në argumentat kushtetuesë, Presidenti Meta thekson se “organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Në këtë vështrim, realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor”. Sipas tij “Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkuron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ përtej afateve ligjore. Kjo gjë tregon qartë së ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin që standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushën, por po shkelen në mënyrë flagrante”. Zoti Meta thekson se një situatë e tillë “cënon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të ssë drejtës”.
Nga ana tjetër, duke renditur argumentat e tij, Kreu i Shtetit vëren se “zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”.
Presidenti Meta u ndal dhe te konflikti politik I krijuar ne vend, te protesta dhe përplasjet që kanë ndodhur mes manifestuesve dhe policisë, apo dhe kërcënimet e opozitës se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore. “Nëse dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një betejë force midis mbështetësve të mazhorancës dhe opozitës, apo në një betejë midis qytetarëve dhe organeve ligjzbatuese, atëherë zgjedhjet do të humbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike, dhe nga një mjet esencial i garantimit të një shoqërie demokratike, do të ktheheshin një mjet rreziku për bashkëjetesën demokratike dhe unitetin e popullit. Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese, ku pa dyshim përfshihet dhe anulimi i datës së zgjedhjeve nga organi që ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese, nga njëra anë të mbrojë unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër të caktojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës)”, thekson Presidenti.
Ai saktëson se “nëse vendosen në balancë këto dy detyra kushtetuese të Presidentit të Republikës, vlerësoj se mbrojtja e unitetit të popullit dhe bashkëjetesës demokratike prevalojnë mbi aplikimin strikt të rregullave ligjore për caktimin e datës së zgjedhjeve aq më tepër kur këto nuk plotësojnë qëllimin themelor të tyre”. Sipas Kreut të Shtetit “në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit”.
Lidhur më faktin se shtyrja e datës së zgjedhjeve rrezikon të lerë pushtetin vendor pa drejtues, duke qenë se atyre aktualëve u skadon mandate, zoti Meta shpjegon se “anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”. Ai kujton më tej se ka patur disa raste të ngjashme të shtyrjes së datës së zgjedhjeve, ndërsa thekson në fund se “zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore”.
Facebook Forum