Lidhje

Protesta në Hong Kong


Demonstratat vazhduan gjatë gjithë natës në Hong Kong ku qindra mijëra njerëz protestuan të dielën kundër një projektligji polemik të ekstradimit që do të lejonte që kriminelët e dyshuar të dërgoheshin për gjykim në Kinë. Ndryshimet do të lejonin kërkesat për ekstradim nga autoritetet në territorin e Kinës, Tajvan dhe Makao për të dyshuarit e akuzuar për shkelje kriminale, të tilla si përdhunim dhe vrasje. Zyrtarët e Hong Kongut thonë se ligji nuk do të lejonte ekstradimin e disidentëve politikë e fetarë dhe se qeveria lokale do të kishte fjalën e fundit për ata që mund të ekstradohen. Por shumë njerëz në Hong Kong janë të shqetësuar se ligji do të çonte në një tkurrje të mëtejshëm të pavarësisë gjyqësore në koloninë ish-britanike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke sjell më shumë hollësi.

Një turmë e madhe protestuesish vazhdoi të qëndronte në rrugë pasi ra nata në Hong Kong, pas një demonstrate masive të dielën. Protesta ishte kryesisht paqësore, por pas mesnatës pati përleshje me policinë. Protestuesit thonë se ligji i propozuar do t'i mundësojë Kinës të ndjekë penalisht kundërshtarët e saj politikë. Shumë të tjerë janë të shqetësuar se ligji do t'i japë Kinës më shumë kontroll mbi rajonin autonom.

"Nëse ligji miratohet, ai do të turbullonte vijën ndarëse mes Hong Kongut dhe Kinës. Mund të themi se do të ishte pothuajse sikur ligjet e Kinës të aplikoheshin në Hong Kong. Kjo do të shkatërronte tërësisht liritë që kemi pasur gjithmonë dhe zbatimin e ligjit për të cilin jemi aq krenarë", thotë protestuesi Ryan Leung.

Pas dorëzimit britanik të Hong Kongut nën sundimin e Pekinit në vitin 1997, territori mbajti sisteme të veçanta qeverisëse dhe ekonomike nga ato të Kinës. Por Pekini ka punuar për të ushtruar kontroll mbi sistemin politik të Hong Kongut, duke çuar në protesta të mëdha në 2004-ën dhe 2014-ën.

"Iu bashkova protestës sot sepse dua të luftoj dhe të kthej përsëri liritë që duhet të kenë njerëzit e Hong Kongut. Kina premtoi një herë se do të kemi 'një vend dhe dy sisteme'. Por tani nën regjimin e presidentit Xi Jinping, kryeshefes ekzekutive të Hong Kongut Carrie Lam dhe Sekretarit të Hong Kongut për Sigurinë John Lee, të cilët po bëjnë lojëra me fatin dhe të ardhmen e njerëzve të Hong Kongut dhe me lirinë që njerëzit e Hong Kongut kanë pasur, kjo nuk do të ekzistojë më nëse ky ligj miratohet", thotë protestuesja Dorothy Lau.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, e cila po kërkon të miratojë ligjin, thotë se ndryshimet e propozuara do të "mbyllin shtigjet" në mënyrë që qyteti të mos jetë strehë e sigurt për kriminelët. Ajo tha se ligji nuk do të lejonte ekstradimin e disidentëve politikë dhe fetarë.

Por protestuesit nuk e besojnë qeverinë.

"Qeveria e Hong Kongut dhe qeveria kineze nuk janë në një nivel të barabartë, prandaj nëse qeveria kineze i premton Hong Kongut dhe thotë: 'ne nuk do të ekstradojmë disidentë politikë, do të sigurojmë gjykim të drejtë' dhe nëse qeveria e Hong Kongun ekstradon njerëzit e saj, qytetarët e saj, në Kinë dhe Kina shkel premtimin e saj, qeveria e Hong Kongut nuk mund të bëjë asgjë", thotë Chan Sze-chai, anëtar i Këshillit të Unionit Studentor të universitetit të Hong Kongut.

Lëvizja pro-demokraci në Hong Kong e vitit 2014 dështoi të fitonte ndonjë lëshim pasi protestuesit pushtuan zemrën e qytetit për dy muaj e gjysmë. Por aktivistët thonë se është e rëndësishme të vazhdojnë të ngrihen për të ardhmen e Hong Kongut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG