Lidhje

Presidenti Trump kërcënon për vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave kineze


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kërcënoi të hënën se do të vendosë tarifa të tjera ndaj mallrave të importuara nga Kina, me vlerën prej 325 miliardë dollarëve, nëse presidenti kinez Xi Jinping nuk angazhohet në bisedime të reja tregtare me të këtë muaj.

Zoti Trump i tha rrjetit televiziv CNBC, se ai pret të takohet në qershor, me zotin XI në Osaka, të Japonisë, në takimin e G-20-ës, udhëheqësve të ekonomive më të mëdha në botë, që mbahet më 28- 29 qershor, por Pekini nuk e ka konfirmuar publikisht takimin. Presidenti Trump tha se do t’i vendoste tarifat e reja, përveç tarifave që ai tashmë ka vënë ndaj eksporteve kineze me vlerën prej 200 miliardë dollarëve, nëse zoti Xi e anashkalon takimin. "Unë mendoj se ai do të vijë në takim," tha zoti Trump. "Pritet që ne të takohemi." Udhëheqësi amerikan u shpreh se: "Kina dëshiron shumë të kemi një marrëveshje, më shumë se sa unë."

Por muaj të tërë bisedimesh tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë kanë ngecur, të paktën për momentin. Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin se nuk e ka mbajtur fjalën, për çështje për të cilat të dyja palët kishin rënë më parë dakord, por Kina e ka hedhur poshtë këtë.

Ministria e Jashtme e Kinës tha: "Ne nuk duam një luftë tregtare, por ne nuk kemi frikë të përfshihemi në të. Nëse SHBA janë të gatshme që të ketë konsultime në pozita të barabarta, dera jonë është e hapur. Por në se ai këmbëngul t'i shkallëzojë tensionet, ne do të përgjigjemi me vendosmëri dhe këmbëngulje. "

Kërcënimi i zotit Trump për tarifat kineze erdhi mes shqetësimit në rritje nga disa udhëheqës të biznesit, të cilët vunë në dyshim nëse ai është duke i keqpërdorur tarifat - ose kërcënimin e imponimit të tyre - në mënyra që mund të dëmtojnë ekonominë e amerikane. Presidenti Trump të premten e tërhoqi një kërcënimin për të imponuar një tarifë prej 5% ndaj importeve meksikane, nëse fqinji i saj jugor nuk i shton përpjekjet për të frenuar rritjen e emigrantëve të Amerikës Qendrore që udhëtojnë nëpër Meksikë në Shtetet e Bashkuara. Të dy vendet arritën një marrëveshje për të patur kontrolle më të forta për emigracionin.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha të dielën se Presidenti Trump do të ishte "plotësisht i lumtur" për të vendosur taksa të tjera ndaj importeve nga Kina, nëse ai nuk do të mundet të arrijë një marrëveshje tregtare me zotin Xi.

"Ne kemi bërë përparim të madh, mendoj se kemi pasur një marrëveshje që është përfunduar pothuajse 90 për qind," tha zoti Mnuchin në një intervistë për rrjetin CNBC. "Kina dëshironte të bënte hapa prapa për disa çështje. Unë besoj që nëse Kina është e gatshme të bëjë përparim në kushtet që kemi diskutuar, do të kemi një marrëveshje. Nëse kinezët nuk janë të gatshëm, do të vazhdojmë me tarifat,"- tha Sekretari Mnuchin.

Në takimin e ministrave të Financave të G-20-ës në Fukuoka, të Japonisë gjatë fundjavës, u tha se konfliktet tregtare dhe gjeopolitike po rrezikojnë rritjen e ekonomisë globale, por me këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara, u hoq një thirrje për " të njohur nevojën urgjente për zgjidhjen e tensioneve tregtare".

"Rritja globale duket të jetë stabilizuar dhe në përgjithësi parashikohet të rritet mesatarisht më vonë këtë vit dhe deri në vitin 2020," thanë në një komunikatë të përbashkët përfundimtare shefat e financave, duke përfshirë zotin Mnuchin. "Sidoqoftë, rritja është e ulët dhe rreziqet mbeten. Më e rëndësishmja, tensionet tregtare dhe ato gjeopolitike janë intensifikuar dhe ne do të vazhdojmë t'i trajtojmë këto rreziqe dhe të jemi gati për të ndërmarrë veprime të mëtejshme"- thuhet në deklaratë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi javën e kaluar se ngërçi i vazhdueshëm mes SHBA-së dhe Kinës për çështjen e tarifave mund ta ulë rritjen e ekonomisë globale në vitin 2020 me 0,5 përqind.

Ndërkohë, Kina u zotua të dielën për të ndërtuar atë që e quan “një mur mbrojtës” të fuqishëm kundër përpjekjeve për të kufizuar aftësinë e saj për të përparuar në teknologji. Kina planifikon t’i njoftojë detajet e planeve të saj në të ardhmen e afërt.

Deklarata kineze nuk përmend asnjë vend me emër, por Shtetet e Bashkuara i kanë kufizuar firmat amerikane që t’i shesin teknologji kompanisë teknologjike kineze Huawei, duke dyshuar se kjo kompani ndërton programe kompjuterike të piraterisë kibernetike në produktet e saj të telekomunikacionit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu i kanë paralajmëruar aleatët e tyre kundër rrezikut që mendohet të kenë nga blerja e teknologjisë tek firma Huawei.
Presidenti Trump tha se shqetësimet për kompaninë Huawei mund të trajtohen me një marrëveshje të re tregtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG