Lidhje

Meta: Zgjedhjet jo në 30 Qershor


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta ripërsëriti sot se zgjedhjet për pushtetin vendor do të mbahen në një datë tjetër dhe jo më 30 Qershor, duke ju kundërpërgjigjur në këtë mënyrë qëndrimit të shumicës por dhe vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili nuk mori në konsideratë dekretin e tij për anullimin e datës. Kreu I shtetit u shpreh vendimet e tij mund t’i interpretojë vetëm Gjykata Kushtetutese

Kreu I Shtetit ju kundërpërgjigj sot reagimeve të forta që pasoi vendimin e tij të djeshëm për anullimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve për pushtetin vendor. Shumica e vlerësoi si një shkelje të rëndë të kushtetutës, dhe përfaqësuesit e saj në Komisionin Qëndror të Zgjedhjebve e vlerësuan si një akt administrative të pavlerë, duke mos e marrë në konsideratë e duke vijuar procesin e përgatitjeve.

Meta: Zgjedhjet vendore nuk do të mbahen më 30 qershor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Por Presidenti Meta i mëshoi sot faktit se zgjedhjet nuk do të mbahen në 30 qershor dhe se vendimet e tij mund t’i marrë në shqyrtim vetëm gjykata Kushtetuese: “Në Republikën e Shqipërisë, ka vetëm një institucion, i cili shpall zgjedhjet, dhe ky është Presidenti i Republikës. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione të tjera. Vendimet e tij I gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Natyrisht unë nuk ndaloj askënd që t’i çojë çështjet në Gjykata Administrative, në Kolegjin zgjedhor, po të duan dhe në Gjykatën e Skraparit. Po zgjedhje në Republikën e Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë pa Dekretin e Presidentit të Republikës”.

Kreu i Shtetit, i bëri thirrje palëve që “ta lexojnë bashkarisht dhe me seriozitet Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të thellohen dhe të shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore që u kam ofruar për gjetjen një zgjidhjeje urgjente për krizën, përfshirë dakordësimin e një date të re për pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhjet vendore”.

Zoti Meta tha se vendimi i tij ishte ndikuar nga informacione të besueshme se të shtunën e kaluar, protesta e opozitës mund të shfrytëzohej nga grupe të caktuar “për akte që rrezikonin një konflikt destabilizues me pasoja për jetën, dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend”.

Ndaj Presidentit të vendit shumica e majtë ka nisur sot procedurat për shkarkim duke mbledhur firmat e nevojshme të të paktën 35 deputetëve, ndërkohë që të enjten në sallë do të ketë një seancë të gjatë debati për dekretin e tij të djeshëm. Sipas projekt rezolutës së hartuar nga socialistët, vendimi i presidentit përbën “një akt të paprecedent”.

Zoti Meta nga ana e tij nuk i kurseu kritikat ndaj Qeverisë:“Me mënyrën se si ka reaguar, Qeveria ka konfirmuar se sa të rrezikuara janë zgjedhjet, nga sjellja e njëanshme e tyre. Dhe inisiativa e fundit kundër presidentit, është shantazh, presion ndaj institucionit më të lartë të Shtetit shqiptar, Kryetarit të Shtetit, sepse bën një përpjekje për t’i dhënë mundësinë që kollonat mbi të cilat ndërtohet Republika dhe Kushtetuta të mos rrëzohen".

Kreu i Shtetit, ndonëse foli në terma të përgjithshëm lidhur me qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krizën në Shqipëri, tha se ai ishte figura përgjegjëse për unitetin e vendit dhe se ishin “të mirëpritura të gjitha kontributet pozitive por jo të atyre që duan të ngatërrojnë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG