Lidhje

Një vit pas takimit Trump - Kim Jong Un


Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un u takuan për herë të parë qershorin e kaluar në Singapor. Ndërsa kthehej në SHBA pas takimit, Presidenti Trump deklaroi se “nuk ekziston më një rrezik bërthamor nga Koreja e Veriut”. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Gallo, edhe pse ka kaluar plot një vit, marrëveshja bërthamore duket po aq e paarritshme.

Në Singapor qershorin e kaluar, Presidenti Donald Trump dhe Kim Jong Un-i ranë dakort të punojnë “drejt çnuklearizimit të Koresë së Veriut”.

Megjithëse ishte një deklaratë e vakët, ajo ngjalli shpresa se mund t’i jepte fund dekadave të armiqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Një vit më vonë, gjërat duket se po shkojnë në drejtimin e kundërt. Koreja e Veriut ka rifilluar testimin e raketave balistike me rreze të shkurtër.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk kanë mbajtur takime pune prej muajsh. Gjithashtu, Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur kërkesave të Shteteve të Bashkuara për rifillim të negociatave.

Sidoqoftë, Presidenti Trump mbetet optimist.

“Sapo mora një letër të bukur nga Kim Jong Uni. Nuk mundem t’jua tregoj letrën, por ishte qartazi shumë personale, shumë e ngrohtë, një letër shumë e mirë. E vlerësoj”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Presidenti Trump gjithashtu thotë se është i hapur për mbajtjen e një samiti të tretë me Kim Yong Un-in, megjithëse ekzistojnë pak tregues se mund të thyhet ngërçi.

“Ndërveprimet reale në terren, shkëmbimet dhe negociatat mes zyrtarëve të nivelit të mesëm janë ato që flasin për punën e vërtetë. Nuk e kemi parë ende këtë, dhe këto proçese nga lart duken si të kota”, thotë Darcie Draudt, studiuese me Universitetin Yonsei në Seul.

Presidenti Trump thotë se ai nuk ka ndonjë nxitim për arritjen e një marrëveshjeje. Por, Koreja e Veriut duket se po nxiton. Kim Yong Un-i u ka dhënë kohë deri në fund të vitit Shteteve të Bashkuara për të ndryshuar përqasjen e tyre.

Një kthesë mund të ndodhë këtë muaj kur Presidenti Trump të bëjë një ndalesë në Korenë e Jugut. Ka patur madje spekullime për një samit të tretë Trump – Kim. Nëse do të ndodhë, atëherë edhe presioni mbi Presidentin Trump për arritjen e progresit do të jetë më i madh se gjatë dy takimeve të para.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG