Lidhje

Lonnie Bunch emërohet në krye të Institutit Smithsonian


Në Uashington, Instituti Smithsonian, kompleksi më i madh muzeal i botës, së shpejti do të ketë një drejtues të ri, i cili do të jetë njëkohësisht afrikano-amerikani i parë që e drejton atë. Lonnie Bunch, drejtori themelues i Muzeumit Kombëtar të historisë dhe kulturës Afrikano-Amerikane në Uashington do të bëhet sekretari i ri i kompleksit duke filluar nga data 16 qershor. Zoti Bunch thotë se Smithsonian duhet të jetë një institucioni që i ndihmon njerëzit ta kuptojnë Amerikën si vendin e diversitetit.

Drejtori dhe themeluesi i muzeumit për historinë afrikano-amerikane do të bëhet sekretari i 14-të që drejton rrjetin më të madh të muzeumeve, arsimit dhe hulumtimeve në botë. Si drejtues i 19 muzeumeve dhe kopështit zoologjik në kryeqytetin amerikan, zoti Bunch e vlerësoi emërimin e tij me përulje dhe tejet i emocionuar, duke thënë se eksperienca në muzeumin e historisë afrikano-amerikane do t’i shërbejë atij më së miri.

“ Nuk ma ka marrë mendja se do të emërohesha. Por më bën të ndjehem mirë, sepse mund t’i shërbej këtij instituti që e dua shumë”, tha zoti Bunch.

Ai ka punuar në tre muzeume të Insitutit Smithsonian ndërsa thotë se ka shërbyer në të gjitha aspektet. Tradicionalisht, drejtuesit e institucionit kanë qënë shkencëtarë nga jashtë organizatës. Zoti Bunch thotë se ishte i kënaqur që është përzgjedhur një njeri brenda rrjetit të muzeumeve si ai, që është historian dhe kurator.

“Kur më thanë që të aplikoja për këtë detyrë nuk isha i sigurtë që do të punësonin dikë si mua, një të brendshëm.”

Por ishte muzeumi për historinë afrikano-amerikane që e vuri atë në ballë, duke e ndërtuar atë nga themelet e deri në hapjen e tij në vitin 2016.

“Menduam se ishte e rëndësishme të krijohej një muze që do të ndihmonte Amerikën të kujtonte dhe të përballej me të kaluarën raciste.”

Një tjetër muzeum i Institutit Smithsonian, po ashtu i është kushtuar një pakice, vendasve amerikanë. Kevin Gover që drejton muzeumin thotë se zoti Bunch ka kredenciale të shkëlqyeshme, dhe se është i kanqur që sheh një afrikano-amerikan në krye të muzeumeve.

“Është e rëndësishme që Instituti Smithsonian, për herë të parë, ka në krye një afrikano-amerikan. Ka qënë një institucion shumë konservator dhe kryesisht me të bardhë, gjatë gjithë ekzistencës së tij”, thotë Kevin Grover që drejton muzeumin kombëtar të historisë dhe kulturës së indianëve të Amerikës.

“E gjithë karriera ime është shoqëruar me përpjekjet për të nxjerrë në pah, për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se afrikano-amerikanët dhe kultura e tyre janë të rëndësishme për atë që ne jemi sot, si amerikanë. Shpresoj se kjo do t’u japë njerëzve një ndjenjë optimizmi dhe shprese”, thotë zoti Bunch.

Zoti Gover thotë se ai pret që drejtuesi i ri do të vazhdojë të gjejë mënyra për të ndërlidhur larminë mes muzeumeve të ndryshme.

“Muzeumi i indianëve të Amerikës ka shumë ekspertë. Por nëse tregojmë një histori pa marrë në konsideratë përspektivën afrikano-amerikane, evropiano-amerikane, ose aziatiko-amerikane, nuk kemi bërë një punë të plotë, ashtu siç do të duhej.”

Sekretari i ri Lonnie Bunch thotë se pavarësisht gjithçkaje, muzeumet Smithsonian do t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë një Amerikë të larmishme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG