Lidhje

Shqipëri, vijojnë replikat për datën e zgjedhjeve


Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta përsërit sot se dekreti i tij që anullon 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Komentet e Kreut të Shtetit erdhën një ditë pasi parlamenti miratoi një rezolutë ku e konideronte aktin e tij si në shkelje të Kushtetutës, por zoti Meta la të kuptohej se parlamenti aktual sipas tij nuk është legjitim.

Debat për datën e zgjedhjeve, Meta: Dekreti i anulimit, i detyrueshëm për të gjithë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Përplasja e hapur mes shumicës socialist dhe Presidentit Ilir Meta vijon të jetë e fortë, me palët që prej ditësh nuk kursejnë replikat ndaj njëra tjetrës. Firma që Kreu i shtetit hodhi mbi dekretin për anullimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, i ka nxjerrë palët në fushën e një beteje të ashpër.

Një ditë pasi parlamenti i dedikoi mbi 6 orë debate, vendimit të kreut të shtetit, duke e konsideruar anullimin e zgjedhjeve një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe tejkalim të kompetencave, zoti Meta ritheksoi sot se “Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim.

Dhe për kreun e shtetit, në këtë situatë, “ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurtë që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”.

Parlamenti miratoi dje me 100 vota rezolutën kundër dekretit e cila kërkonte nga Kreu i Shtetit reflektim. Por ky i fundit la të kuptohet qartë se parlamenti ekzistues, me deputetët zëvendësues, nuk është legjitim: “Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim.”

Zoti Meta sot i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve duke i kërkuar informacion mbi numrin e mandateve dhe listën me emrat e deputetëve.

Qëndrimin e shumicës ndaj dekretit të Presidentit, kryetari demokrat Lulzim Basha e ka krahasuar me një grusht shtetit. Kryeministri Rama po vijon normalisht fushatën. Dje ai hasi në një përpjekje për t’i bllokuar rrugën në Librazhd nga mbështetësit e opozitës. Të paktën 7 persona me të cilëve katër drejtuesë lokal të Partisë demokratike dhe një ish deputet u arrestuan, ndërsa 16 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.
Zoti Basha reagoi sot me ashpërsi: “Këto veprime janë raprezalje të hapura politike ndaj kundështarëve politikë dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës. Ato vinë mbas ndalimit të rreth 500 anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike gjatë pesë muajve të fundit. Ndërkohë mbi 50 mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike mbahen në arrest në burgje. Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian”.

Por Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u kundërpërgjigj përmes Twitter-it, duke u shprehur se “Lulzim Basha është përgjegjës për çdo individ që aktivizon kundër ligjit dhe lirive politike në vend! Pengimi i subjekteve zgjedhore dhe përdorimi i lëndëve plasëse, kundër atyre dhe forcave të rendit janë vepra penale. Askush nuk do të tolerohet dhe Kush u përgjigjet thirrjeve për paligjshmëri, do të përballet me ligjin!” deklaroi ministri I Brendshëm

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG