Lidhje

Rikthehet energjia elektrike në Argjentinë dhe Uruguai


Në Argjentinë dhe Uruguaj po rikthehet energjia elektrike pas një difekti masiv që la më shumë se 44 milionë njerëz pa energji të dielën. Ndërprerja masive u shkaktua nga një difekt i pashpjeguar në linjën e interkoneksionit që ndërlidh disa vende. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton se ndërprerja e energjisë elektrike ndikoi tek familjet dhe bizneset si dhe transportin nëntokësor.

Autoritetet argjentinase po hetojnë një ndërprerje të pashembullt të energjisë elektrike që preku disa vende të Amerikës së Jugut të dielën pasi gjeneratorët e një hidrocentrali në Paraguaj papritur u shkëputën nga rrjeti. Si rezultat, pati ndërprerje të energjisë në të gjithë Argjentinën dhe Uruguajin, si dhe disa pjesë të Paraguajit, Brazilit dhe Kilit.

Duke folur në një konferencë shtypi, ministri argjentinas i Energjisë tha se ndërprerja fillimisht u duk si diçka rutinë.

“Në orën 7:07 të mëngjesit të dielën ndodhi një ndërprerje në sistemin elektrik – një ndërprerje normale që ndodh zakonisht në sistemin e Argjentinës si dhe në çdo sistem tjetër. Çfarë ishte e pazakontë dhe që nuk duhet të ndodhë përsëri është rrjedha e ngjarjeve që pasoi”.

Ndërprerja e energjisë ndikoi në planet e së dielës për miliona njerëz në zonën e prekur.

"Isha duke shkuar të takoja një shok por anuluam takimin pasi nuk kishte metro, asgjë nuk funksionte.Ndërprerja sjell kaq shumë vështirësi. Sidomos sot që është Dita e Baballarëve. Sapo fola me një fqinj dhe më tha se djemtë nuk do të vinin dot ta takonin", thotë Lucas Acosta, banor i Buenos Ajresit.

Ndërprerja e energjisë gjithashtu preku bizneset që janë të hapura të dielave, të tilla si restorantet dhe dyqanet ushqimore.

"Kur s’ka energji, frutat dhe zarzavatet kalben me këtë lagështi më shpejt sesa zakonisht", thotë Marcelo Santos, pronar dyqani në Montevideo të Uruguait.

Energjia u rivendos në disa pjesë të Argjentinës dhe Uruguait të dielën më vonë, por problemi ende vazhdon.

"Rryma nuk është e qëndrueshme. Shpresojmë që situata të rregullohet", thotë Analia Moreira, menaxhere dyqani në Montevideo të Uruguait.

Zyrtarët e Paraguait thanë se ndërprerja filloi me një difekt në rrjetin elektrik të Argjentinës që solli shkëputjen e të gjithë gjeneratorëve nga rrjeti rajonal të dielën në mëngjes.

Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri tha përmes Twitterit se ndërprerja ishte shkaktuar nga një difekt në sistemin bregdetar të transmesionit. Ai premtoi se ndërprerja do të hetohet tërësisht.

Ndërprerja e pashembullt e energjisë elektrike flet për cenueshmërinë e rrjeteve kombëtare ndaj problemeve që mund të dalin në një sistem lokal.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG