Lidhje

Hapja e bisedimeve me BE, vendimi për Tiranën e Shkupin në tetor


Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian e shtynë për në muajin Tetor marrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rënë dakord për tekstin që i propozohet kryetarëve të shteteve që do të takohen në mbledhjen e Këshillit më 20-21 Qershor.

Shtyrja për në vjeshtë ishte e pritshme, duke qenë se Gjermania është në pritje të vlerësimit të parlamentit të saj, ndërsa dhe disa vende skeptike si Franca e Hollanda nuk ishin të gatshme për një vendim të shpejtë.

Teksti i dakordësuar nga ministrat e Jashtëm mund të konsiderohet shpresëdhënës, nëse do të mbahet parasysh konteksti i zhvillimeve të brendshme dhe në vendet anëtare si dhe fakti që Këshilli angazhohet që të dalë me një vendim të qartë brenda muajit tetor. Sipas përfundimit që i përcillet Këshillit, ky i fundit “merr në konsideratë rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë bazuar në vlerësimin e tij pozitiv të përparimit të bërë dhe të përmbushjes së kushteve të identifikuara nga Këshilli. Duke marrë parasysh kohën e kufizuar në dispozicion dhe rëndësinë e çështjes, Këshilli do t’i kthehet kësaj çështje me qëllim që të arrijë një vendim të qartë dhe substancial sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019”. I njëjti formulim ishte edhe për Maqedoninë e Veriut, duke shuar kështu hipotezat e një ndarjeje në vlerësimin e të dy vendeve.

Megjithatë, diplomatët thanë se Maqedonia e Veriut ende ka shansin më të mirë për të marrë hapjen e negociatave më vonë këtë vit, ndërsa mundësitë e Shqipërisë duken më të pakta, thanë diplomatët.

Perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Evropës, sipas organizatës Transparency International, Shqipëria ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër pastrimit të parave, megjithë shkarkimet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar, thonë zyrtarët e BE dhe të SHBA.

Në përfundim të takimit, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, tha pasdite se ndjehej "i keqardhur që një pakicë vendesh anëtare nuk e mbështetën propozimin e qartë të Komisionit". Sipas tij Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin shpërblyer pasi ato kishin përmbushur çfarë u ishte kërkuar vitin e shkuar. Besueshmëria e BE-së është në lojë, sikundër dhe nxitja e mëtejshme e reformave”, nënvizoi komisioneri Hahn.

Reagimet në Shqipëri

Në Tiranë, ambasadori i Delegacionit Europian, Luigi Soreca përmes një postimi në Twitter, duke komentuar qëndrimin e vendeve anëtare, shkruan se “në pritje të “vendimit të qartë dhe substancial” të tetorit, tani është koha për të gjtha institucionet që të vijojnë të përqëndrohen në procesin e reformave, në veçanti në reformën në Drejtësi”. Ai vë në dukje dhe klimën politike aspak ndihmuese, ndërsa shton se “tani është koha që të rinisë urgjentisht dialogu mes të gjitha partive për të tejkaluar situatën aktuale politike, për të siguruar se Shqipëria mund të ecë përpara në rrugën e saj të anëtarësimit dhe mund të bëjë hapin e radhës. Nuk ka kohë për të humbur”, thekson ambasadori Soreca.

Por dhe në komentet e tyre të para, drejtuesit politikë shqiptarë kanë nxjerrë sërish në pah ndarjen e thellë që ekziston mes tyre. Kryeministri Edi Rama foli për “një lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime, molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”, shkruajti ai në Twitter.

Ndërsa Sekretari i Përgjthshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, nga ana e tij ironizoi kryeministrin kur shkruajti se “Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë që një lajm të keq për vendin e quan lajm pozitiv, duke thyer edhe rekordin e një viti më parë, kur gënjeu shqiptarët se negociatat u hapën. Shtyrja e vendimit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave me Shqipërinë për të tretën herë me rradhë, nuk ka asgjë pozitive. Edi Rama e di shumë mirë se, nëse ai do të vazhdojë të jetë në krye të vendit, dera e Europës për shqiptarët, do të qëndrojë e mbyllur”, është shprehur zoti Bardhi, duke vijuar më pas me një seri akuzash të ndryshme ndaj kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG