Lidhje

Polemika rreth nderimit të ekonomistit Arthur Laffer


Presidenti Trump nderoi të mërkurën ekonomistin Arthur Laffer me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil në vend. Është një gjest që nxiti polemika mes atyre që e shohin ekonomistin e arsimuar në Yale dhe Stanford si një vizionar dhe atyre që e shohin si sharlatan.

Arritja më e madhe e ekonomistit është e ashtuquajtura “Kurba Laffer” – një koncept ekonomik që ai e skicoi fillimisht https://www.youtube.com/watch?v=4yBgTN5JT-Y mbi një pecetë në një restorant në Uashington, D.C. në vitin 1974, ndërsa po darkonte me nënpresidentin e ardhshëm amerikan Dick Cheney, sekretarin e ardhshëm të Mbrojtjes Donald Rumsfeld, që shërbenin në atë kohë në administratën e presidentit Gerald Ford, si dhe me gazetarin e Wall Street Journal Jude Wanniski.

Në qendër të konceptit të Kurbës Laffer – koncept që vetë zoti Laffer thotë se nuk ishte origjinal – është se në një ekonomi të thjeshtëzuar ekziston një normë tatimore teorike që maksimizon të ardhurat qeveritare. Nëse norma e taksës do të ishte 100%, askush nuk do të punonte dhe qeveria nuk do të mblidhte dot taksa. Nëse norma do të ishte zero, njerëzit do të punonin me zell por qeveria përsëri nuk do të siguronte të ardhura. Diku në mes qëndron ekuilibri i përsosur.

Sfida e vërtetë ishte përcaktimi i atij niveli taksash që do të maksimizonte të ardhurat për qeverinë. Ajo që e bëri ekonomistin Laffer popullor te konservatorët, dhe veçanërisht te republikanët e kohës së Reaganit, ishte argumenti i tij i fuqishëm se normat e taksave në vitet 1980 ishin mbi nivelin që do të maksimizonte të ardhurat për qeverinë.

Nënkuptimi ishte se shkurtimet e taksave do të paguanin veten. Ishte një argument i fuqishëm që do të përdorej si justifikim për plane të shumta për të shkurtuar taksat federale gjatë katër dekadave të ardhshme. Ai vazhdoi pavarësisht nga provat në rritje, disa të mbledhura nga ekonomistë të tjerë konservatorë, se normat e taksave ishin tashmë nën nivelin që do të arrinte të ardhura maksimale për qeverinë dhe se ulja e normave do të ulte vetëm të ardhurat tatimore.

Kurba Laffer u bë një nga gurët themelorë të teorisë makroekonomike që argumenton se ulja e taksave dhe pakësimi i rregulloreve sjell rritje ekonomike dhe krijon vende pune. Ekonomisti Laffer vazhdoi të këshillonte presidentë dhe kandidatë të të dyja palëve mbi anët pozitive të taksave të ulëta dhe pakësimin e rregulloreve. Shumë nga idetë e tij u shndërruan në politika federale nga administratat republikane. Shkurtimet e thella të taksave dhe heqja e rregulloreve u bënë baza e politikave ekonomike të presidentit Trump gjatë dy viteve të fundit.

Por me kalimin e kohës, fama e Lafferit filloi të zbehej. Në vitin 1997, ekonomisti konservator N. Gregory Mankiw, i cili do të shërbente si kreu i Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit Xhorxh W. Bush, botoi një libër të njohur që mbetet në qarkullim edhe sot. Në të, koncepti i rritjes ekonomike përmes shkurtimit të taksave dhe përkrahësit e tij trajtohen në një kapitull të titulluar "Sharlatanët dhe Grindavecët." Në vitin 2005, një studim i Zyrës së Buxhetit në Kongres, i drejtuar në atë kohë nga një tjetër ekonomist konservator, Douglas Holtz-Eakin, kreu një studim të plotë mbi ndikimet e mundshme të një shkurtimi të të gjitha taksave në nivelin prej 10%. Në kundërshtim me parashikimet e Kurbër Laffer, studimi zbuloi se ulja e taksave do të rezultonte në humbje të konsiderueshme të të ardhurave për qeverinë.

Polemikat rreth teorive ekonomike të Laferit nuk e kanë ulur prestigjin e tij tek shumë konservatorë dhe ai ende trajtohet si një zë i rëndësishëm në debatet ekonomike nga shumë republikanë konservatorë.

Në një intervistë me televizionin Fox këtë vit, ai tha se analiza e tij provoi se fitorja e ish presidentit demokrat Barak Obama në zgjedhjet e vitit 2008 shkaktoi Recesionin e Madh. "Ndërsa ai po i afrohej fitores, tregjet u shembën", pohoi Laffer.

Recesioni i Madh, sipas Byrosë Kombëtare të Studimeve Ekonomike filloi në dhjetor të vitit 2007. Në atë periudhë, Obama kishte një mbështetje prej vetëm 27 përqind të votuesve https://news.gallup.com/poll/103351/clinton-maintains-large-lead-over-obama-nationally.aspx në zgjedhjet paraprake. Ai nuk do të zgjidhej president edhe për një vit tjetër.

Dhënia e Medaljes Presidenciale të Lirisë për ekonomistin Laffer nga presidenti Trump vjen më pak se një vit pasi ai së bashku me një komentator të debatueshëm konservator për çështje ekonomike, Stephen Moore, përgëzuan politikat ekonomike të presidentit në librin Trumponomics.

Pas botimit të librit, presidenti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për ta promovuar librin, duke shkruar: "Stephen Moore dhe Arthur Laffer, dy burra shumë të talentuar, sapo kanë përfunduar një libër të jashtëzakonshëm mbi Politikat e mia Ekonomike, ose, siç e quajnë ata, TRUMPONOMIA. Ata me të vërtetë kanë bërë një punë të shkëlqyer për të paraqitur pikëpamjet dhe idetë e mia. Ky libër është tani në shitje - një libër i mirë për një temë vërtet interesante!"

Presidenti Trump u përpoq të emëronte zotin Moore në Bordin e Rezervës Federale në fillim të 2019, por propozimi dështoi për shkak të pikëpyetjeve rreth kualifikimit të tij. Ekonomisti Arthur Laffer mori medaljen më të lartë civile të vendit në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG