Lidhje

Përvjetori i mbarimit të skllavërisë në SHBA


Emancipation Proclamation

Më 19 qershor 1865, burra dhe gra të skllavëruara në Teksas më në fund mësuan se ishin të lirë, më shumë se dy vjet pasi Presidenti Abraham Lincoln nënshkroi Proklamatën e Emancipimit, e cila liroi të gjithë skllevërit në shtetet rebele të Amerikës. Çdo vit më 19 qershor, afrikano-amerikanët në mbarë vendin organizojnë aktivitete për të përkujtuar ditën kur iu dha fund skllavërisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni sjell hollësitë.

Përkujtimi i ditës që shënoi fundin e periudhës së gjatë të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara është shndërruar në një traditë verore që shoqërohet me muzikë, parada dhe shfaqje të ndryshme.

"Më 19 qershor të vitit 1865, gjenerali i Ushtrisë së Unionit, Gordon Granger, i cili ishte përgjegjës për distriktin e emancipimit, përfshirë Teksasin, zbarkoi në gjirin e Galvestonit në Teksas dhe lexoi njoftimin, duke deklaruar se nga ai moment, afrikanët e skllavëruar ishin të lirë", thotë Greg Carr nga Universiteti Howard. HoHow

Juneteenth ose Dita e Lirisë, që shënohet më 19 qershor, tani është festë shtetërore në 45 shtete amerikane. Për shumë afrikano-amerikanë, është një ditë e reflektimit mbi sukseset dhe përpjekjet e vazhdueshme në luftën për barazi racore.

"Kjo na ndihmon të kuptojmë dhe shpjegojmë se si Amerika ka arritur aty ku është sot. Unë do të preferoja që Amerika kurrë të mos ishte një shoqëri skllavopronare. Fakti është se ajo ishte e tillë, dhe efektet e skllavërisë janë akoma duke u ndjerë në shoqërinë amerikane. Pra, ne e dimë prej nga kemi ardhur, dhe shpresojmë se po mësojmë se si të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës", thotë Andra Gillespie nga Universiteti Emory.

Ndërkohë që festimet përfshijnë koncerte dhe tubime familjare, ndoshta më e rëndësishmja është ruajtja e trashëgimisë, thotë Floyd Cooper, autor i librit me ilustrime, "Juneteenth for Mazie".

"Historia po vazhdon të shkruhet edhe në këto ditë. Brezat e vjetër të familjeve po pasojnë historitë e kësaj dite tek brezi i ri. Historitë e familjeve tona, trashëgimia e afrikano-amerikanëve, përvoja afrikano-amerikane po kalon tek brezi i ri përmes tregimit të historive familjare".

Nevoja për të vazhduar atë trashëgimi nxiti zonjën Kizzie Calhoun të merrte me vete djalin e saj në paradën e Ditës së Lirisë në San Antonio.

"Ne kemi ngecur në atë që po përpiqemi të arrijmë në të ardhmen, por duhet të kthehemi tek e kaluara për të kujtuar se nga kemi ardhur, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në përpjekjet tona për ndërtimin e të ardhmes".

Dita e Lirisë këtë vit përkon me seancën e parë dëgjimore të kongresit në një dekadë mbi reparacionet për skllavërinë. Mbështetësit e kësaj nisme po i bëjnë thrrje ligjvënësve që të ofrojnë kompensim për pasardhësit e skllevërve.

"Kjo qeveri, ky popull, nëse do ta quanim veten amerikanë, duhet të përballet me faktin se kjo shkelje themelore ndaj afrikanëve në këtë vend duhet të trajtohet në një farë mënyre", thotë aktivisti Greg Carr.

Ndërsa afrikano-amerikanët vazhdojnë të peshojnë ndikimin e skllavërisë mbi ta, Juneteenth ose Dita e Lirisë është një thirrje ndaj të gjithëve për të festuar hapat e vendit drejt lirisë për të gjithë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG