Lidhje

Oregon, senatorët republikanë kundërshtojnë ligjin për klimen


Një grup senatorësh republikanë të shtetit të Oregonit u janë fshehur autoriteteve me qëllimin për të penguar miratimin e një projekligji të rëndësishëm mbi ndryshimet klimatike.

Projektligji i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të këtij shteti u vendos kufizime lidhur me emetimin e gazit karbonik, industrive që shkaktojnë ndotje, por Republikanët thonë se ligji do të dëmtonte zonat rurale të Oregonit.

Demokratët gëzojnë shumicën dhe gjasat janë që projekligji të miratohet nëse futet në procedurë votimi. Por që kjo të ndodhë është e nevojshme prania e të paktën dy të tretave të senatorëve. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke njofton se guvernatorja demokrate e shtetit të Oregonit ka autorizuar policinë e shtetit që të gjejë senatorët.

Senatorët republikanë të Oregonit u larguan nga ndërtesa e Kongresit të enjten dhe që nga ai moment, nuk janë kthyer më. Mungesa e tyre ka çuar në anulimin e një votimi që do të mbahej të dielën. Senati i Oregonit ka 30 vende, 18 prej të cilave u takojnë demokratëve, por për kryerjen e një procesi votimi është e nevojshme prania e të paktën 20 senatorëve.

"Senatorët republikanë nuk u paraqitën duke dështuar të bëjnë detyrën e tyre", tha Guvernatorja Kate Brown.

Guvernatorja Brown ka autorizuar policinë e shtetit që të gjejë senatorët, por deri tani pa sukses.

"Nuk po qëndrojmë brenda kufijve shtetërorë ku guvernatorja mund të ushtrojë të drejtën e saj që policët të na gjëjnë dhe të kërkojnë të kthehemi në kryeqytetin e shtetit", thotë senatori republikan i shtetit të Oregonit Dennis Linthicum.

Senatorët republikanë e kundërshtojnë me forcë projektligjin që synon të inkurajojë bizneset që të përdorin teknologjinë e gjelbër. Plani i mbështetur nga demokratët synon të ulë emetimin e gazit që shkakton efektin serë në masën 80 për qind deri në vitin 2050.

Por republikanët thonë se rritja e çmimit të gazit dhe naftës do të ndikojnë në mënyrë disproporcionale tek zonat rurale të Oregonit. Ata kërkojnë një referendum në rang shteti mbi këtë çështje.

"Po bëj punën që më kanë ngarkuar votuesit, duke shmangur shfarosjen e të gjithë banorëve të Oregonit nga ky ligj i tmerrshëm", thotë senatori republikan Dennis Linthicum.

Largimi i senatorëve republikanë për shkak të ligjit mbi ndryshimet klimatike ndikon ndërkohë tek më shumë se 120 projektligje të tjera. Deri në kthimin e tyre, nuk mund të mbahet asnjë proces votimi.

Të dielën Kryetari i Senatit të Oregonit u bëri thirrje ligjvënësve të "arratisur" që të kthehen.

"Kjo është dita më e trishtuar në krye të kësaj detyre”, thotë Peter Courtney, Kryetar i Senatit të Oregonit.

Por republikanët kujtojnë se në vitin 2001, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, që përbënin pakicën aso kohe, organizuan një largim pesë ditor nga kongresi me qëllimin për të bllokuar një projektligj të paraqitur nga republikanët për rikonfigurimin e shpërndarjes legjislative të shtetit, pa firmën e guvernatorit.

"Duket hipokrite nga ana e demokratëve që kanë përdorur në thelb të njëjtën procedurë që ne po përdorim tani. Kur e bëjmë ne, thonë që nuk është e përshtatshme", thotë Tim Knopp, senator republikan.

Senatorët që mungojnë janë urdhëruar të paguajnë një gjobë prej 500 dollarësh për çdo ditë mungese në punë. Mbështetësit e tyre kanë hapur faqe në internet me qëllim mbledhjen e fondeve për të paguar gjobat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG