Ilinoi është bërë dje shteti i 11-të amerikan që legalizoi marijuanën. Ky është gjithashtu shteti i parë ku hapin e legalizimit e ndërmorën ligjvënësit, ndërkohë që në shtete të tjera është bërë nëpërmjet votimit nga populli.
Guvernatori J.B. Pritzker e nënshkroi ligjin që ishte miratuar nga ligjvënësit muajin e kaluar.
Ligji, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2020, u lejon banorëve të shtetit Ilinoi të moshës mbi 21 vjeç, të kenë deri në 30 gramë lule kanabis, apo sasira më të vogla të produkteve të tjera të kanabisit. Personave jorezidentë të këtij shteti u lejohet gjysma e këtyre sasive.
Ligji trajton gjithashtu komunitetet e ndikuara më shumë nga penalizimi i marijuanës, si p.sh. zonat me nivel më të lartë varfërie, papunësie dhe shkeljeve të lidhura me marijuanën.
“Gjatë 50 viteve të fundit, lufta kundër kanabisit ka shkatërruar familjet, ka mbushur burgjet me njerëz jo të dhunshëm, dhe ka dëmtuar së tepërmi komunitetet me ngjyrë”, tha Guvernatori i shtetit Illinois, J.B. Pritzker.
Të arrestuarit për deri në 30 gramë marijuanë do t’u pastrohet automatikisht dosja personale, ndërsa Guvernatori Pritzker do të falë ata që janë dënuar tashmë.
Në shtetin Illinois vlerësohet se 700 mijë personave do t’u pastrohet kështu historiku penal.
Shteti mendon se do të mbledhë rreth 60 milionë dollarë të ardhura në formë taksash dhe blerje liçencash gjatë vitit 2020, vlerësim i cili mendohet të kërcejë në 375 milionë dollarë deri në vitin 2024. Legalizimi i marijuanës mund të ofrojë një burim tepër të nevojshëm të të ardhurave për këtë shtet, i cili po përballet me një defiçit prej miliarda dollarësh, të shkaktuar kryesisht prej skemës së pensioneve.
Një deklaratë për shtyp e Guvernatorit Pritzker thotë se të ardhurat nga marijuana do të shkojnë në një program grantesh që “do të trajtojë impaktin e mungesës së investimeve ekonomike, dhunës, dhe mbiushtrimit ndër vite të sistemit të drejtësisë penale”.
Një tjetër 20%-ësh të të ardhurave do të shkojë për trajtimin dhe parandalimin e abuzimit me substancat, si dhe për kujdesin e shëndetit mendor.
Facebook Forum