Zyrtarët amerikanë po përfundojnë planet për vizitën e presidentit Donald Trump në Korenë e Jugut e cila nis të shtunën e kësaj jave. Pas shumë spekulimeve në media, Presidenti Trump tha të mërkurën pasdite se ai nuk do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
Ata mund të shkëmbejnë letra personale, por tani për tani nuk pritet një takim tjetër mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un. Ky është mesazhi i Presidentit Trump në prag të vizite të tij në Korenë e Jugut, që nis të shtunën.
Por megjithëse Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë mundësinë e një takimi të afërt mes Donald Trump-it dhe Kim Jong Un-it, shumë njerëz në Seul shpresojnë për një ndryshim të beftë.
Në një intervistë të mërkurën, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in tha se Pheniani dhe Uashingtoni po bisedojnë për një takim të tretë. Nëse Presidenti Trump vendos për një takim tjetër, sfondi i tij mund të jetë dramatik.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se vizita e zotit Trump mund të përfshinte një ndalesë në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë. Fshati në kufi ai Panmunjom-it është përmendur prej kohësh si një vend i mundshëm për një takim Trump-Kim.
"Ekzistojnë mundësitë që Kim Jong Un-i dhe Donald Trump-i të takohen në Panmunjom, për shkak të besimit që kanë ndërtuar mes tyre. Por shanset janë shumë të vogla që ky takim të ndodhë këtu dhe tani", thotë Yang Moo-jin, profesor në Universitetin e Studimeve të Koresë Veriore.
Spekulimet rreth një takimi të tretë mes dy udhëheqësve u përforcuan pas shkëmbimit më të fundit të letrave personale mes tyre.
"Ai më shkroi një letër të bukur për ditëlindje. Mendova se ishte një gjë e mirë. Dy letra miqësore. Merremi vesh shumë mirë me njeri-tjerin….
Pyetjes së një gazetari nëse në letër përmendet një takim tjetër zoti Trump iu përgjigj: Ndoshta po, në një moment do të bëjmë".
Udhëheqësi i Phenianit ka thënë se po e "mendon seriozisht" përmbajtjen "interesante" të letrës së fundit të presidentit Trump. Por askush nuk ka as më të voglën ide se çfarë donte të thoshte ai me këtë gjë.
"Është e qartë se si Kim Jong Un-i ashtu edhe Donald Trump-i duan të bëjnë përparim me bisedimet, por asnjëri prej tyre nuk ka shumë hapësirë për të lëshuar pe", thotë Yun Jiwon, profesoreshë në Universitetin e Sangmyung-ut
Presidenti Trump kërkon që Kim Jong Un-i të bjerë dakord të braktisë tërësisht armët bërthamore. Kim Jong Un-i do që Shtetet e Bashkuara të lehtësojnë sanksionet përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm.
"Edhe nëse nuk arrijnë një marrëveshje, ata mund të tregojnë gatishmërinë e tyre drejt paqes. Ka shumë pak gjasa që ata të takohen (duke iu referuar zonës së çmilitarizuar), për shkak të mungesës së kohës, por duhet të jemi të hapur për të gjitha mundësitë", thotë Yun Jiwon, Profesoreshë në Universitetin e Sangmyung-ut.
Të dy udhëheqësit thonë se janë të hapur për një takim të tretë, por se kur do të ndodhë, mbetet për t’u parë.
Facebook Forum