Dhjetë kandidatë presidencialë demokratë që kërkojnë të mposhtin Presidentin Donald Trump vitin e ardhshëm patën provën e tyre të parë të madhe në ciklin e fushatës zgjedhore të 2020-ës. Në një debat televiziv të mbajtur në Majami të Floridas, kandidatët vunë shpesh në shënjestër presidentin Trump dhe herë pas here njëri-tjetrin. Dhjetë kandidatë të tjerë që synojnë të marrin emërimin e partisë demokrate do të kenë shansin e tyre të debatit të enjten në mbrëmje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.
Në Majami, dhjetë demokratë konkurruan për të fituar të drejtën për të sfiduar Presidentin Trump vitin e ardhshëm, në një debat televiziv në nivel kombëtar të organizuar nga kanali NBC.
Senatorja e Masaçusesit, Elizabeth Warren, e cila është ngritur në sondazhet e fundit, u përqëndrua tek hendeku ekonomik në Shtetet e Bashkuara.
"Unë jam në këtë betejë sepse besoj se mund ta bëjmë qeverinë tonë, mund ta bëjmë ekonominë tonë, mund ta bëjmë vendin tonë të punojë, jo vetëm për ata që janë në krye, por për të gjithë dhe ju premtoj - unë do të luftoj për ju aq shumë sa luftoj për familjen time".
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill de Blasio e drejtoi thirrjen e tij tek votuesit e shtresës punëtore.
"Ka rëndësi t’u japësh prioritet punëtorëve. Ne duhet të jemi përsëri partia e klasës së punonjësve".
Por ligjvënësi i Ohajos, Tim Ryan tha se demokratët janë të shkëputur nga realiteti.
"Ne nuk po lidhemi me njerëzit e klasës së punonjësve në ato shtete që unë përfaqësoj, në Ohajo dhe në Brezin Industrial. Kemi humbur të gjitha lidhjet ".
Senatori i Nju Xhersit Cory Booker argumentoi se ai ishte kandidati më i mirë për të mposhtur Presidentin Trump vitin e ardhshëm.
"Ky është një referendum për të, për ta hequr. Por është gjithashtu një referendum për ne, cilët jemi dhe cilët duhet të jemi me njëri-tjetrin".
Imigracioni ishte një pikë e nxehtë në debat.
Ish-sekretari i kabinetit, Julian Castro, hodhi poshtë politikat e administratës Trump, pas mbytjes së një babai dhe të bijës së tij nga El Salvadori dhe fotoja e tyre tronditëse që kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare.
"Të shohësh imazhin e Oskarit dhe vajzës së tij Valeria të thyhet zemra. Ai imazh duhet të na fyejë të gjithëve".
Ish-kongresisti i Teksasit Beto O'Rourke gjithashtu e dënoi ngjarjen.
"Ne nuk do ta kishim kthyer Valerian dhe babain e saj, Oscar. Ne do t'i pranonim ata në këtë vend dhe do të ndiqnim ligjet tona të azilit. Ne nuk do të ndërtojmë mure dhe nuk do të vendosim fëmijët në kafaze".
Kandidatët gjithashtu u pyetën për tensionet e fundit me Iranin.
Senatorja e Minesotës Amy Klobuchar tha se ishte e shqetësuar që Presidenti Trump po e shtynte vendin më pranë luftës.
"Ky president është vërtet, çdo ditë, dhjetë minuta larg të shkuarit në luftë, një ‘tweet’ larg të shkuarit në luftë. Nuk mendoj se duhet të bëjmë politikën e jashtme me pizhama në orën pesë të mëngjesit".
Ka pasur gjithashtu debate lidhur me faktin nëse Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë në Afganistan.
“Po”, u përgjigj ligjvënësi i Ohajos Tim Ryan.
"Mësimi që kam nxjerrë gjatë viteve është se duhet të qëndrojmë të angazhuar në këto situata".
Por ligjvënësja e Havajit Tulsi Gabbard tha se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të largohen.
"Si ushtarake, do t'ju thoja se kjo përgjigje është e papranueshme. Ne duhet t'i kthejmë trupat tona nga Afganistani. Ne jemi në një situtatë në Afganistan ku kemi humbur kaq shumë jetë".
Në debatin e së mërkurës morën pjesë edhe ish-ligjvënësi i Merilendit John Delaney dhe Guvernatori i Uashingtonit Jay Inslee.
Të enjten në mbrëmje, dhjetë pretendentë të tjerë demokratë do të kenë shansin e tyre të parë për të debatuar.
Aty përfshihet senatori i Vermontit Bernie Sanders, kryebashkiaku i South Bend-it, Pete Buttigieg, senatorja e Kalifornisë Kamala Harris dhe kryesuesi i tanishëm i garës, ish-nënpresidenti Joe Biden.
Facebook Forum