Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, përfaqësues i Partisë Demokratike, pas ngjarjeve të dhunshme mbrëmë në Bushat ku një grup protestuesish hodhën bomba molotov brenda Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në shkollën e mesme bujqësore të Bushatit, duke djegur materialet e votimit. “Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë”, shkruajti zoti Rama në një postim në Tëitter shoqëruar dhe me foton e vendimit për shkarkim. Më herët shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës e kishte paralajmëruar dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.
Për ngjarjet e mbrëmshme në Vaun e Dejës ku mbetën të plagosur dhe tre policë, Partia Demokratike deklaroi se nuk ishin të përfshirë njerëzit e saj duke folur për një "skenar kriminal të Edi Ramës për inkriminimin e opozitës dhe identifikimin e saj me dhunën që ka planifikuar vetë."
Por sipas ministrit Lleshaj “zjarri i mbrëmshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e tre punonjësve të Policisë së Shtetit, nga një grup sulmi, i përbërë kryesisht nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës është një shprehje shembullore e paramilitarizimit të një partie, që ka humbur jo vetëm arsyen, por tashme edhe pseudo-kauzën e saj. Aq sa i ulët ishte sulmi ndaj shkollës, ku është vendosur KZAZ, po aq e neveritshme ishte tentativa e drejtuesve të opozitës për të larë duart nga aksioni kriminal i militantëve të tyre, duke u përpjekur si gjithmonë, që nga nxitës të agresionit të kthehen në viktima të tij!”, u shpreh ministri.
Nga ana e saj policia njoftoi për arrestimin e të paktën 14 personave që sipas saj dyshohet të jenë përfshirë në sulmin ndaj mjediseve ku ishte vendosur Komisioni zonal. Mes të arrestuarve ishte dhe nënkryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, si dhe disa punonjës të këtij institucioni. Ndërkohë që mes personave të shpallur në kërkim nga policia janë dhe djali e vëllai i kryebashkiakut Hila.
Vetë zoti Hila, i pyetur nga Zëri i Amerikës, tha se “nuk kam qenë i pranishëm në protestën e natës së kaluar pranë KZAZ-ës së Bushatit” dhe se “distancohem nga çdo akt dhune. Protesta e mbrëmshme – shtoi ai – është organizuar nga Aleanca Qytetare për Demokraci dhe dega e Partisë Demokratike”.
Por selia qëndrore në Tiranë e demokratëve ripërsëriti sot “qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës”. Sekretari i Përgjithshëm demokrat Gazmend Bardhi tha se “Edi Rama po përpiqet të përçajë qytetarët dhe të na vendosë kundër njeri tjetrit. Ai ka një skenar të rrezikshëm dhune dhe përplasje civile për të dielën, skenar të cilin kërkon t’ia faturojë Partisë Demokratike, opozitës dhe kryebashkiakëve të opozitës!”.
Në të njejtën linjë më vonë ishte dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit “ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin”. Lidhur me shkarkimin e kryebashkiakut Hila, zoti Basha u shpreh se bëhet fjalë sipas tij për një akt në shkeje të ligjit dhe kushtetutës. “Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkarkimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës”, theksoi zoti Basha. Nga ana e tij, deri pasdite, zoti Hila tha se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar për shkarkimin e tij nga detyra.
Facebook Forum