Lidhje

Debati i grupit të dytë të kandidatëve demokratë


Election 2020 Debate
Election 2020 Debate

Ish-nënpresidenti Joe Biden ishte në mesin e dhjetë kandidatëve presidencialë demokratë që debatuan mbrëmë në Florida. Ky ishte grupi i dytë i kandidatëve demokratë që përballen për herë të parë me njëri-tjetrin. Ata shpesh shprehën kritika ndaj Presidentit Donald Trump, por nuk ngurruan të kritikonin edhe njëri-tjetrin. Të ndjekim një përmbledhje të debatit.

Në skenën e debatit që u mbajt mbrëmjen e së enjtes në Miami të Floridës, grupi i dytë i dhjetë pretendentëve të tjerë demokratë për president morën pjesë në një debat televiziv të organizuar nga rrjeti NBC. Dhjetë kandidatët e tjerë demokratë debatuan të mërkurën.

Ish-nënpresidenti Joe Biden, kryesuesi i tanishëm i anketave të demokratëve, e tha qartë arsyen e kandidimit të tij.

"Po kandidoj për të udhëhequr këtë vend, sepse mendoj se është e rëndësishme që të rikthejmë shpirtin e kombit tonë. Ky president e ka dëmtuar atë. Ai është presidenti i vetëm në historinë tonë që ka

barazuar racistët dhe supremacistët e bardhë me njerëzit e zakonshëm dhe të mirë ".

Zoti Biden qëndronte pranë Senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, i cili vjen i dyti në anketa. Senatori Sanders argumentoi se problemet e vendit janë shumë më të thella sesa thjesht mposhtja e Presidentit Trump.

"Asgjë nuk do të ndryshojë nëse nuk kemi guximin për t’iu kundërvënë Wall Street-it, industrisë së sigurimeve, industrisë farmaceutike, kompleksit industrial ushtarak dhe industrisë së karburanteve fosile!"

Gjatë debatit dy-orësh, zoti Biden u vu herë pas here në pozita mbrojtëse.

Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris e sulmoi zotin Biden për përpjekjet e tij në të kaluarën për të gjetur gjuhë të përbashkët me senatorë me pikëpamje raciste dhe për kundërshtimin për të vendosur sistemin e detyruar të autobuzëve për integrimin në shkolla.

"Ishte e dhimbshme t’ju dëgjoja të flisnit për reputacionin e dy senatorëve të Shteteve të Bashkuara që e ndërtuan karrierën e tyre mbi ndarjet racore në këtë vend", - tha zonja Harris. Zoti Biden dha një përgjigje pasionante, duke përmendur rastet kur ai kishte mbrojtur të drejtat civile, si dhe vitet e tij si nënpresident, kur president ishte për herë të parë një afrikano-amerikan, Barak Obama.

"Unë kandidova pikërisht për të drejtat civile...vazhdoj të mendoj se duhet të bëjmë ndryshime thelbësore tek të drejtat civile dhe ato

nuk përfshijnë vetëm afrikano-amerikanët, por edhe komunitetin LGBQT".

Joseph Biden dhe Bernie Sanders janë të dy në të 70-at, dhe ndarja mes brezave brenda Partisë Demokrate u shfaq qartë, kur ligjvënësi i Kalifornisë Eric Swalwell e sfidoi drejtpërdrejt zotin Biden.

"Isha gjashtë vjeç kur një kandidat presidencial erdhi në Konventën Demokratike të Kalifornisë dhe tha: "Është koha për ta kaluar pishtarin tek një brez të ri amerikanësh. "Ky kandidat ishte atëherë senatori Joe Biden. Ai kishte të drejtë kur tha se ishte koha për të kaluar pishtarin tek një brez të ri amerikanësh 32 vjet më parë, kjo mbetet aktuale edhe sot".

Një tjetër demokrat i ri, i cili po ngrihet në anketa, është Kryetari i Bashkisë i South Bend-it të Indianas, Pete Buttigieg.

Sikurse pjesëmarrës të tjerë në debat, ai kritikoi qasjen e administratës Trump ndaj imigracionit.

"Kjo është hipokrizi. Për një parti që e lidh veten me fenë e krishterë, të thuash se është diçka normale ndarja e familjeve nga agjentët federalë, që Perëndia do të lejonte mbylljen e fëmijëve në kafaze... me këtë bien të gjitha pretendimet për të përdorur gjuhën fetare."

Në debatin e të enjtes morën pjesë edhe Senatori i Kolorados, Michael Bennet, ish guvernatori i Kolorados, John Hickenlooper, senatorja e Nju Jorkut, Kirsten Gillibrand, autorja Marianne Williamson dhe biznesmeni Andrew Yang.

Demokratët do ta kenë debatin e tyre të dytë presidencial në fund të korrikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG