Lidhje

“Parada e krenarisë” në Shkup


Qindra pjesëtarë dhe përkrahës të komunitetit LGBT në Maqedoninë e Veriut marshuan për herë të të parë në atë që njihet si “Parada e krenarisë”. Pjesëtarët e këtij komuniteti kërkojnë më tepër të drejta, ndërsa flasin për raste jo të rralla të dhunës ndaj tyre. Ndërkaq, qytetarët e Shkupit e vështruan me indiferencë parakalimin, teksa shprehen kundër shfaqjes së tillë përmes paradave.

Një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit LGBTI në Maqedoninë e Veriut e edhe më tepër përkraës të tyre marshuan për herë të parë në Shkup, në një vend ku identiteti apo orientimi ndryshe nga ai hetero-seksual vazhdon të jetë tabu dhe pjesëtarët e këtij komuniteti të stigmatizuar, të përbuzur dhe ndonjëherë edhe të sulmuar fizikisht.

Homoseksualët, lezbiket, transgjinorët dhe anëtarë të tjerë të komunitetit të tyre u tubuan në një park të njohur përballë parlamentit në qendër të Shkupit, të mbështetur nga organizata e njohur vendase si “Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut” e nisën atë që ato e quajnë “parada e krenarisë” duke marshuar nëpër bulevardet e qytetit drejt qeverisë, për t’u ndalur në parkun qendror të Shkupit.

Atyre iu bashkuan disa politikanë të pushtetit dhe pjesëtarë të trupit diplomatik.

Shkupi sivjet u bashkohet më shumë se 70 shteteve në shënimin e paradës së krenarisë së komunitetit LGBT, thotë zëvendës-ambasadorja amerikane Micalea Schweitzer Bluhm, duke shtuar se “është bërë një përparim i madh këtu në Maqedoninë e Veriut në njohjen e këtij komuniteti, por se mbetet ende punë për t’u bërë”, thotë ajo.

Ambasadori francez Christian Thimonnier thotë se kur njerezit mblidhen për të drejta të ndryshme dhe bëjnë ftesë për të qenë me ta, “ne u bashkohemi në një mënyrë diskrete, por kjo ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe nuk është e mundur për t’i ndarë ata”, thotë ai. Ambasadori Thimonnier shton se “nuk është lehtë në një shoqëri të pranohet dhe bëhen ndryshime të shpejta por këto, thekson ai, janë vlera evropiane të tolerancës dhe pranimit të të drejtave të tjerëve”.

Bekim Asani, kryetar i LGBT-Tetovë thotë se “jetojmë në një shoqëri homofobike ku njerëzit kanë frikë, kryesisht njerëzit që jetojnë në rajonin e Pollogut (Tetovë, Gostivar) se nëse zbulohet identiteti i tyre, atëherë hasin në probleme. Ka nevojë për paradë sepse nëpërmjet saj personat LGBT e shprehin revoltën dhe protestojnë për më tepër liri dhe të drejta”, thotë ai.

Disa persona të këtij komuniteti apo përkrahës të tij kishin ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe vende të rajonit për të marrë pjesë në paradë.

Parada kaloi e qetë, madje njerëzit rrugës vetëm vështronin dhe i filmonin me celularë. Organet e rendit fillimisht patën droje se mund të kishte ndonjë provokim apo incident dhe i shtuan masat e sigurisë.

Kjo grua që vështronte përtej gardhit afër parlamentit thotë se kjo që po ndodh është turp. “Këta (LGBTI) po ndikojnë keq tek fëmijët tanë dhe nuk duhen toleruar”, thotë ajo.

Qytetarë të tjerë shprehen se nuk kanë gjë kundër tyre por se pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk duhet të bëjnë parada në një shoqëri ku mbizotërojnë vlerat tradicionale, fetare, martesa apo bashkëjetesa në mes një burri dhe gruaje.

Pushteti aktual nga ana tjetër, është treguar i butë duke plotësuar një sërë kërkesash të komuniteti LGBT në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG