Lidhje

Analistët: Irani nuk dëshiron një rikthim tek negociatat për programin e tij bërthamor


Iran njoftoi të hënën se ka tejkaluar limitin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar, duke shkelur sasinë për të cilën ra dakord në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015. Ky hap synon të detyrojë vendet nënshkruese të marrëveshjes bërthamore t'i japin Iranit lehtësim nga sanksionet amerikane. Shërbimi kurd i Zërit të Amerikës diskutoi pasojat e veprimeve të Iranit me dy ekspertë për çështjet iraniane.

Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif tha të hënën se Irani po vepron sipas të drejtave të tij të përcaktuara në marrëveshjen ndërkombëtare, të cilën administrata Trump e braktisi vitin e kaluar.

"Irani ka tejkaluar limitin prej 300 kilogramësh, siç e kemi paralajmëruar më parë." Ne e kemi thënë shumë qartë se çfarë do të bëjmë dhe po veprojmë. Ne e konsiderojmë atë të drejtën tonë bazuar në marrëveshjen ndërkombëtare".

Udhëheqësit iranianë po përpiqen të fitojnë epërsi në përpjekjet e tyre për të marrë lehtësime nga sanksionet e imponuara nga Shtetet e Bashkuara, thotë analistja Katherine Bauer.

"Ata nuk po kërkojnë domosdoshmërisht një mënyrë për të eksportuar uraniumin e tyre të pasuruar. Ata janë duke kërkuar një mënyrë për të marrë një lehtësim ekonomik, për të fituar një epërsi, dhe shpresojmë se do të thotë se ata duan të rifillojnë negociatat, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë së shpejti".

Administrata Trump ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit për të dëmtuar ekonominë e tij dhe për ta detyruar Teheranin të bjerë dakord të ri-negociojë marrëveshjen bërthamore që Presidenti Donald Trump e konsideron të padrejtë. Irani nuk ka të ngjarë ta bëjë këtë në një të ardhme të afërt thotë analisti Alan Makovsky.

"Mendoj se Irani i ka mundësitë ta bëjë këtë, por sigurisht jo nën administratën Trump. Mendoj se ata shpresojnë që Trump do të humbasë në vitin 2020 dhe do të kenë një fillim të ri".

Makovsky thotë se kthimi në negociata do të ishte një goditje për imazhin e Teheranit. Irani ka më shumë gjasa të angazhohet në provokime të tilla si armatosja e rebelëve Huthi në Jemen dhe ndërmarrjen e sulmeve përmes palëve të treta.

"Përdorimi i palës së tretë është një nga mënyrat më të preferuara të Iranit për t'iu përgjigjur sanksioneve dhe politikave të tjera të Shteteve të Bashkuara, të cilat i kundërshton, sepse u jep atyre një një farë mohimi të besueshëm".

Si Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk duan luftë. Presidenti Donald Trump është nën presionin e atyre që kërkojnë një reagim ushtarak ndaj provokimeve të Iranit dhe atyre që kërkojnë uljen e përshkallëzimit. Ai thotë se nuk ka asnjë nxitim për t'u përgjigjur.

"Sanksionet janë të vendosura dhe unë nuk kam asnjë nxitim. Unë nuk jam në nxitim me Iranin, nëse je me nxitim, fut veten në telashe".

Analistët thonë se nuk është e qartë nëse dhe kur sanksionet do të japin efektin e dëshiruar. Makovsky vuri në dukje se Iraku nën Saddam Husseinin ishte në gjendje të përballonte sanksionet. Koreja e Veriut ka kryer gjashtë prova të armëve bërthamore, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej disa vitesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG