Lidhje

Ligjvënësi republikan largohet nga partia, në Kongres si i pavarur


Justin Amash, ligjvënësi i vetëm republikan i cili kërkoi nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, u largua nga partia ditën e enjte, pikërisht në ditën e pavarësisë së vendit.

39 vjeçari me një mandat pesë vjeçar si ligjvënës i shtetit të Miçiganit, tha për të përditshmen “Washington Post” se sistemi politik dy partiak është thyer, për shkak të “politikave moderne të ngecura në spiralen e vdekjes konfliktuale mes kundërshtarëve demokratë e republikanë”.

Ligjvënësi Amash, shkaktoi zemërimin e Presidentit Trump dhe kolegëve të tij republikanë në Kongres kur së fundmi bëri thirrje për nisjen e procedures për shkarkimin e zotit Trump, bazuar në dyshimet se ai pengoi drejtësinë në një përpjekje për të penguar hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Largimi e bën atë ligjvënësin e vetëm të pavarur në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në një postim në tweter Presidenti Trump komentoi largimin e ligjvënësit Amash nga Partia Republikane.

Lajm i mrekullueshëm për partinë teksa njëri nga njerëzit më të injorantë e më të pabesë në Kongres po largohet nga partia”, ka shkruar presidenti Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Nuk ka pasur bashkëpunim tët fshehtë apo pengim të drejtësisë. Ai e dinte se nuk mund të kandidohej përsëri për shtetin e madh të Miçiganit. Është plotësisht i dështuar”, përfundon postimin e tij zoti Trump.

Në artikullin e gazetës, ligjvënësi Amash shkruan rreth asaj qe e quan "pasojat që sjellin qëndrimet në mesin e klasës politike, se besnikëria ndaj partisë është më e rëndësishme sesa shërbimi ndaj popullit amerikan apo mbrojtja e institucioneve qeverisëse”.

Ai përfundon duke thënë se shumica e amerikanëve nuk janë të pozicionuar fort në llogoret partiake dhe se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjëra prej partive të mëdha.

Sot unë po shpall pavarësinë time duke lënë Partinë Republikane. Në çfarëdo rrethane që ndodheni, ju ftoj që të më bashkoheni në refuzimin e besnikërisë ndaj partisë dhe retorikës që na ndanë dhe na zhduk humanizmin. Kërkoj që të më besoni se ne mund të punojmë më mirë sesa sistemi dy partiak. Nëse vazhdojnë ta marrin Amerikën lehtë, do ta humbasim”, shkruante zoti Amash.

Të paktën 80 nga 235 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë thirrje për nisjen e procedurës për shkarkimin e presidentit Trump. Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk i ka mbështetur këto thirrje.

Në raportin e zotit Mueller thuhej se presidenti Trump nuk komplotoi me Rusinë për të fituar zgjedhjet, por Prokurori i Posaçëm nuk doli në një përfundim nëse si president, zoti Trump pengoi ose jo drejtësinë.

Më 17 korrik Robert Mueller pritet të dëshmojë rreth hetimit të tij 22 mujor përpara dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG